Çahet toka në Lagjen “Çamëria”
Kamenicë – Tetë familje kanë ngelur të bllokuara nga rrëshqitjet e tokës në lagjen Çamëria, prej të cilave disa janë në këtë lagje dhe disa të tjera në fshatin Gurgulloc. Rrëshqitjet janë shpeshtuar ditëve të fundit pas të reshurave atmosferike.
Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi i shoqëruar edhe nga zyrtarët e Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe ata të Urbanizmit e kanë vizituar sot këtë lagje dhe kanë biseduar me banorët për të gjetur mundësi alternative me ndërtimin e një rruge të përkohshme.
“Kjo është një situatë e shkaktuar nga faktorët natyrorë dhe Komuna nuk mund të ndërmarrë diçka në parandalimin e saj, por, ajo që është në kompetencën tonë është që në rend të parë të jemi afër këtyre banorëve, të hapim një rrugë alternative, dhe më e rëndësishmja që të informojmë zyrtarisht institucionet përgjegjëse për situatën këtu”
Për këtë situatë në Kamenicë është ftuar dhe ka ardhur edhe koordinatori i Emergjencave në nivel rajonal Salih Mustafa, përmes të cilit zyrtarët komunal do të dërgojnë raport të përbashkët në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe në Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave. Në bazë të këtij raporti do të ndërmerren hapat e mëtejmë dhe do të rekomandohen banorët për ndonjë evakuim eventual./rajonipress/


