Fatmir Sejdiu: Qeveria s’është shpresëdhënëse
Kemi dëgjuar deklarata pompoze për hapjen e perspektivës së punësimit. Tash, realiteti po dihet dhe po përcillet me zhgënjim. Qeveria e re nuk është shpresëdhënëse.
Gjatë katër viteve është bërë gjëja më e panatyrshme në LDK: disiplinimi i egër i partisë, ngufatje e mendimit të lirë, përndjekja e atyre që mendojnë ndryshe.
Zgjedhjet partiake që kanë nisur janë jotransparente dhe po tentohet të zihen gafil besnikët e LDK’së. Lideri i ri i Partisë duhet të kthejë komunikimin normal me qytetarët, anëtarët e LDK’së dhe SHBA’në. Ende s’kam vendosur të kandidohem për Kryetar të LDK’së. Kryetari i Nderit i LDK’së, Fatmir Sejdiu, flet për Express.
Ditëve të fundit është debatuar shumë për largimin e qytetarëve nga Kosova. Si e shihni zgjidhjen e këtij problemi dhe kush duhet të mbahet përgjegjës për këtë gjendje?
Fatmir Sejdiu: Po. Kjo çështje ka shpërthyer në përmasa jashtëzakonisht brengosëse dy-tre muajt e fundit. Sigurisht se elementet ndikuese për veprime të tilla kur qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë e lëshojnë Kosovën janë të shumta. Nga arsyet themelore të këtij eksodi dhe në përmasat e shprehura sigurisht se mund të radhiten ngecjet e shumta në zhvillimin ekonomik të vendit, i cili edhe konsiderohet si çelësi themelor që hap perspektivën për të rinjtë, por edhe për të gjithë qytetarët e vendit. Prandaj nga ato pamje që kemi parë dhe nga deklarimet dhe ad hi e herëpashershme të përcjella për këta qytetarë, sigurisht se gjendja duhet të trajtohet si alarmante. Këto procese nuk duhet të shikohen me qetësi pavarësisht se aty-këtu mund të ketë edhe ndonjë motiv tjetër.
Sigurisht se përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajnë institucionet e vendit. Pavarësisht nga fakti se në një periudhë kohore ka pasur lëvizje pozitive, sado simbolike në shtimin e GDP-së dhe lëvizjen në kahe më pozitive ekonomike. Në këto kohë duket se çështjet kanë stagnuar. Institucionet e vendit janë përgjegjëse se asnjëherë dhe në masë të thelluar nuk kanë rishikuar çështjen e ringjalljes së kapaciteteve të privatizuara dhe ekonomive të ngjashme pas transformimit të tyre. Kjo ka bërë që shumë nga përfituesit privatizues të mos ju përmbahen zotimeve të tyre qoftë në relacion me punëtorët, qoftë në relacion me kontributet e nevojshme të tjera që sadopak do të jepnin sinjale pozitive dhe të ecjes përpara. Në të kundërtën jemi dëshmitar të sjelljeve të papërgjegjshme në relacion me to dhe po kështu të dhënies “gratis” të deklaratave pompoze për hapjen e perspektivës së punësimit. Njerëzit mbase kanë besuar në këto premtime. Cili është realiteti? Këtu vjen edhe zhgënjimi.
Sigurisht se masat administrative janë sekondare në këtë proces.
Zyrtarët e Qeverisë po deklarohen se largimi i qytetarëve po ndodh edhe për shkak të mos liberalizmit të vizave. Çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për t’iu mundësuar qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm në vendet e BE’së?
Fatmir Sejdiu: Mendoj se kjo nuk është motivi parësor. Motivi themelor siç thashë edhe më herët është vetë shqetësimi i qytetarëve që nuk shohin perspektivë të hapur për vete dhe për familjet e tyre. Ata njerëz duhet të kuptohen drejtë. Mirëpo kjo prapë nuk do të thotë se njerëzit nuk duhet të bëjnë përpjekje që të përballen me vështirësitë që kemi përpara duke besuar se edhe me mbështetjen e miqve të Kosovës këto sfida të kapërcehen. Paralelisht është tepër e nevojshme që organet e vendit dhe në veçanti ato të sundimit të ligjit të hulumtojnë edhe ndërpresin po kështu kanalet nxitëse të qytetarëve për të lëshuar vendin. Realisht ato janë të pranishme dhe aq më tepër pa pengesa mbështeten nga qendra që në asnjë kohë nuk kanë vepruar për së mbari për Kosovën. Kjo lehtësi e tillë më kthen mendjen tek veprimet po kështu lehtësuese të Jugosllavisë Mbretërore dhe të asaj të pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1966 kur ekzistonin porositë e kryerjes së shpejtë të formaliteteve në dokumentacion për shqiptarët për t’u nisur në rrugën e pa kthim në ciklet e mëdha dhe të dhembshme të emigrimit që kemi pasur.
Çështja e liberalizimit të vizave sigurisht se do të mbetet temë kyçe edhe për disa kohë. E para, shumë nga vendet e BE-së kanë një shqetësim se kjo po të bëhet me Kosovën sikur do të nxitë një zbrazje të përnjëhershme të vendit, në modelin përafërsisht siç ka ndodhë me shumë qytetarë nga Rumania dhe Bullgaria të cilët ia kanë mësyrë perëndimit (që me momentin e hyrjes në BE) dhe se ajo hapje ka krijuar barrën e përkujdesjes për disa milionë nga këto dy vende. Kjo çështje natyrisht se duhet të shpejtohet dhe mendoj se Kosova duhet të bëjë punë të shumëfishtë në përmbushjen e kritereve për liberalizim. Ato janë të rrepta dhe janë të shumta. Asnjëherë ato nuk duhet të konsiderohen si pjesë formale e “mbushjes së formularëve”, por përkundrazi si një çështje thelbësore e cila kërkon zhvillime thelbësore pozitive në disa rrafshe paralele dhe të pashkëputshme. Në radhë të parë, siç theksuam edhe më herët, janë çështjet e zhvillimit ekonomik që jo vetëm se krijojnë imazhin e paqes së qëndrueshme sociale por ato realisht duhet të jenë të kapshme dhe të vërejtshme nga çdo qytetar, i cili duhet të krijojë bindjen pozitive për perspektivën e vet në vend dhe tek ai mos të mbizotërojë motivi i ikjes nga vendi. Së dyti është çështja e ndërtimit të shtetit të së drejtës, respektivisht sundimi i rendit dhe ligjit. Këtu ka edhe elemente të tjera të cilat krijojnë pasqyrën e përgjithshme të sigurisë dhe të stabilitetit të vendit dhe të përgatitjes së tij si subjekt në partneritetin rajonal dhe ndërkombëtar.
Cili është vlerësimi juaj për punën gati 100 ditore të Qeverisë Mustafa?
Fatmir Sejdiu: 100 ditë ende nuk kanë ardhë. Por them se ato shpejtë do të vijnë dhe mrekullinë nuk e kemi përpara. Formimi i kësaj qeverie vjen pas 6 muajsh të plotë kohe të humbur dhe pa asnjë arsye. Njerëzit mund të bëjnë përpjekje që të japin motive të ndryshme të asaj vonese. E kam thënë më herët dhe e them tani se marrëveshja për këtë partneritet në mes dy partive më të mëdha – PDK-së dhe LDK-së ka qenë më e hershme, që para zgjedhjeve të qershorit. Mund të ketë pasë edhe motive të ndërkohshme që kanë reflektuar në një formë apo tjetër me “përpjekje” për partneritete tjera.
Nga deklarimet e para-fushatës dhe në veçanti nga zotimet pompoze dhe shumë përjashtuese të z.Mustafa, dhe për jo-partneritet të asnjëhershëm me PDK-në, dhe pas kësaj metamorfoze nuk japin për të shpresuar. Aq më tepër kur me zotime të tilla është shprehur një numër i ad hi zyrtarëve të LDK-së. Tani vie pyetja: Në këtë partneritet ka një të PDK të re apo janë njerëzit e njejtë për të cilët kishte adresime të tipit çfarë janë dhënë.
Çështja thelbësore është, cili është projekti qeverisës dhe zhvillimor i këtij formacioni qeverisës. Përcjellësit e zhvillimeve në vend nuk e vlerësojnë shpresëdhënës. Të shohim.
Shumëkush ka thënë se Kryeministër real nuk është Isa Mustafa, por Hashim Thaçi. Si e shihni ju raportin mes këtyre udhëheqësve të dy partive në Qeveri?
Fatmir Sejdiu: Kam dëgjuar këso vlerësimesh. Nuk dua të jap koment. Janë qytetarët e vendit ata që do të vlerësojnë më së miri.
Ku është LDK katër vite pas largimit tuaj nga udhëheqja e saj?
Fatmir Sejdiu: Ndryshimet në udhëheqjen e LDK-së erdhën si pasojë e zhvillimeve të një fushate të egër dhe të panjerëzishme kundër meje, e cila realisht lidhet me zhvillimet e mëhershme kur unë pata dhënë dorëheqjen nga pozita e Presidentit të vendit. Këto procese kanë qenë thelbësisht dhe në mënyrë organike të lidhura. Akterët iniciues dhe shtytës të tyre ishin në ujdi. Nuk dua t’i kthehem më shumë kësaj historie. Faktet janë të njohura. Pra ishte përgatitur terreni për zhvillime të tilla.
Pavarësisht faktit se Lidhja Demokratike e Kosovës kishte siguruar një konsolidim të brendshëm dhe kishte ideuar dhe filluar projektin e reformave të brendshme,ato nuk vazhduan në atë format, dhe realisht mbetën proces i pakryer, përkundër premtimeve të mëdha të lidershipit. Gjëja më e paarsyeshme që ka ndodhur në proceset e ecjes së saj brenda këtyre katër viteve të fundit shënohet me “disiplinimin e egër” të partisë, ngulfatjen e mendimit të lirë brenda saj, përndjekjen e njerëzve që mendojnë ndryshe dhe e gjithë kjo të rezultojë me tendencën e krijimit të një LDK-je të re. Çka në fakt do të thotë kjo? Në radhë të parë esencialisht me zhvillimet që kemi parë Lidhja Demokratike e Kosovës në këtë trend gjithnjë e më shumë largohet nga identiteti i saj burimor, i cili është i formuar në fondament shumë të thellë të idealizmit kombëtar, të demokracisë së mirëfilltë, të shpirtit respektues dhe kultivues, të fjalës dhe të shprehjes së lirë dhe të angazhimit esencial që parimet e demokracisë të jenë fanarë udhëheqës të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit. Përkundrazi, në “modelin” e këtyre viteve lidershipi i LDK-së shansin e zhvillimit të LDK-së e sheh në lidhjet e fuqishme të klientelës të lidhur me lidershipin, e cila si strukturë bashkë me këtë ide nuk ka hallin e zhvillimit strategjik të partisë. Karshi saj motivin themelor e gjen në përmbushjen e ambicieve klienteliste në mënyrën se si po veprohet, duke ikur thelbësisht nga ideja e të qenurit e pakontestueshme në një vizion politik të mbështetur në idetë dhe veprën e Presidentit Rugova.
Për ironi, pas katër vitesh LDK-në e gjejmë pikërisht në partneritet qeverisës me PDK-në, pra aty ku lideri i tanishëm kishte thënë se s’do të jetë kurrë.
Isa Mustafa pat premtuar se do të bëjë reforma dhe do të sjellë njerëz të rinj në këtë parti. Sa prej këtyre premtimeve të Kryetarit aktual të LDK’së janë përmbushur?
Fatmir Sejdiu: Jo. Reformat nuk kanë ndodhur. Kanë ndodhur ndryshime kuadrash në nivele të ndryshme. Kanë marrë përgjegjësi të veçanta edhe njerëz që për moto të tyre kanë pasur shfryrjen ndaj Ibrahim Rugovës dhe përqeshjen e tij. Janë graduar njerëz që kanë bërë argatin e sulmeve ndaj meje. Janë deklaruar se kanë ardhë anëtarë të rinj të LDK-së njerëz që në fakt janë anetarë të LDK-së qysh moti. Kjo ka qenë strategjia e prezantimit të kuadrave të reja. Si pasojë e kësaj LDK-ja ka humbur tri palë zgjedhje.
Ende askush s’e ka zyrtarizuar kandidaturën për Kryetar të LDK’së, mirëpo, janë përmendur disa emra, në mesin e të cilëve edhe Isa Mustafa, Vjosa Osmani etj. Do të jeni edhe ju kandidat për të udhëhequr LDK’në?
Fatmir Sejdiu: Zgjedhjet në LDK janë shpallur me vonesë. Kjo në një mënyrë apo tjetër ka refleksione negative në trendet e zhvillimit të saj demokratik. Pse është bërë vonesa dihet. Lidershipi aktual s’ka dashur të përballet me elektorët e vet në situatën e palakmueshme në të cilën ka qenë dhe karshi premtimeve që ka dhënë, për të pritur një situatë “të lakmueshme” si kjo e sotit për të cilën mendon se i sjell favore. Në këtë proces zgjedhor, gjë që edhe mungon, ta shohim në ditët ne vijim se si do të ndodhë, nuk ka transparencë të bollshme, nuk ka përgatitje serioze në frymën e vërtetë demokratike, por më shumë ka me sa shihet “kujdes” për të ndërtuar ca “regjistrime” të anëtarësisë si formalitet banal me të cilin proces, përveç të “informuarve mirë” për të, tentohet të zihet “gafil” numri i madh i anëtarëve të LDK-së. I besnikëve të saj. Kështu po ndodh në disa prej degëve kur refuzohen regjistrat e anëtarëve të LDK-së që janë dyfish apo trefish më shumë sesa “besnikët” e lidershipit aktual, vetëm nga shkaku se mund të mendojnë ndryshe. Kam parë disa prej emrave që janë lakuar. Është e drejtë e secilit anëtar të pretendojë.
Sikur kam thënë edhe më herët,do të analizoj të gjitha zhvillimet. Përsëris se poqese anëtarësia e LDK-së kërkon një gjë të tillë, unë asnjëherë nuk i kam ikur përgjegjësisë. Tani për tani nuk është koha për kandidimin.
Kush mund ta rikthejë LDK si parti të parë në Kosovë?
Fatmir Sejdiu: Kështu si është LDK-ja nuk ka shansin e realizimit të kësaj ambicie. LDK-së i nevojiten reforma të thella, ashtu siç theksuam më herët, për ta kthyer ne identitetin e vet. Dhe ky identitet në fakt shpreh përmbajtjen kryesore të asaj së cfarë dëshirojmë të jetë Kosova sot dhe nesër. LDK nuk mund të jetë pre e eksperimenteve administrative cfarë mund t’i mendojë dikush reformat. Reforma në esencë motiv themelor ka kthimin e besimit të qytetarëve, të mbështetësve të saj tradicional, por edhe të brezit të ri. Reforma me përmbajtjen e saj duhet të kuptohet si frymë e valorizimit të secilit qytetar, të secilit anëtar dhe simpatizant të LDK-së për peshën që ai ka në radhë të parë si njeri. Duhet te kthejë besimin se vota e tij nuk do të abuzohet, se vota e tij nuk do të jetë e korrë në kohë fushate, si bereqet privat për interesa personale dhe të klientelave në qeverisje. Zgjedhësi i LDK-së duhet të besojë se ai do të ketë fuqinë e stopimit të mashtrimeve të mëdha që mund t’i ndodhin. Reforma në LDK mund të kuptohet kur për lidershipin e saj votohet duke u mbështetur në parimin një anëtar – një votë. Sistemi i vendim-marrjeve piramidale ashtu siç është kah forcohet tani është jo-produktiv dhe i dëmshëm. LDK-në do ta rikthejë si parti të parë ai lider, i cili do tu kthehet fuqishëm komunikimeve të thella dhe të sinqerta me anëtarësinë e LDK-së, me qytetarët e Kosovës dhe me miqtë tradicionalë të Kosovës: SHBA dhe BE.
Çka duhet të bëjë Kryetari i ri i LDK’së? Të ndjek rrugën e Isa Mustafës? Të prish koalicionin me PDK’në apo ?
Fatmir Sejdiu: Të presim zhvillimet. Çdo lider i ri i LDK-së, i cili mund të marrë besimin ka për borxh që me qasje shumë serioze të analizojë në debate të thella në organe të partisë këto procese. Dhe natyrisht parësore për të është pozicionimi me qëndrime dhe veprime adekuate në të gjitha çështjet duke i dhënë përparësi interesit nacional të vendit dhe në këtë kuadër edhe të LDK-së.


