Luajmë me gjermanë
Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin mars. Kundërshtarë të ekipit të Albert Bunjakut do të jenë ekipet nga Bundesliga, Eintracht Frankfurt dhe Werder Bremen.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka zbuluar, të premten, kundërshtarët e Përfaqësueses së Kosovës për muajin mars. Kështu, shtëpia e futbollit kosovar ka konfirmuar se skuadra e Albert Bunjakut do të përballet me klubet gjermane, Eintracht Frankfurtit dhe Werder Bremenit.
Marrëveshja është arritur në takimin e mbajtur në Leuna të Gjermanisë, ndërmjet përfaqësuesve të DFB-së (Rainer Milkoreit-nënkryetar, Markus Weidner, Wolfgang Grunert, Dieter Burdenski) dhe përfaqësuesit e FFK-së në Gjermani, vëllezërit Zija, Nexhat Shoshi dhe Fekmi Kongjeli.
FFK-ja njofton se organizatori i ndeshjeve dhe sponsori i FFK-së, Dieter Burdenski, ka arritur marrëveshje që Kosova do të luajë më 24 mars ndaj Eintrachtit në Frankfurt, duke filluar nga ora 19:00, ndërsa më 27 mars, në orën 18:00, Përfaqësuesja do të luajë me Werder Bremenin në Nordhorn.
Ndërkohë, FFK-ja tregon se Përfaqësuesja U-19 e Kosovës do të luajë një miqësore me Përfaqësuesen U-19 të Sachsenit të Gjermanisë, në prill ose maj të këtij viti. Po ashtu edhe Republikat Sachsen-Anhalt dhe Thuringen në një të ardhme shumë të afërt do të dalin me projekte konkrete për ta ndihmuar FFK-në, në fushat e ndryshme.
Kosova e mori lejen për zhvillimin e miqësoreve vitin e kaluar, duke luajtur me katër përfaqësuese, Haitin, Turqinë, Senegalin dhe Omanin. Prej tyre, Përfaqësuesja e jonë e mposhti vetëm këtë të fundit, 1:0.
Takohen me drejtuesit e DBF-së
Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, para mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, do të takohet me presidentin e Federatës Gjermane të Futbollit, Wolfgang Niersbach. Takimi mbahet më 18 mars dhe si temë kryesore do të jetë harmonizimi i agjendës për takimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që do të mbahet më 23.03.2015 në Vjenë të Austrisë. /Zëri/


