Nisen shqipet për Angli
Dy futbollistët shqiptarë të skuadrës zvicerane Young Boys Bern, Taulant Seferi dhe Florent Hadergjonaj kanë marrë rrugë për në Angli. Nuk bëhet fjalë për ndonjë transferim të tyre në kampionatin anglez, por për ndeshjen kthyese në Ligën e Evropës, ku skuadra e futbollistëve tanë do të jetë mysafire e Evertonit, transmeton Telegrafi.
Ndeshja e parë e zhvilluar në kryeqytetin zviceran përfundoi me fitore Evertoni 4-1, por ky rezultat nuk i ka dëshpëruar Florentin dhe Taulantin.
Në një prononcim për Telegrafin, që të dy futbollistët, ndër më të talentuarit në mesin e shqiptarëve, shprehen optimist për ndeshjen që do të zhvillohet në ‘Goodison Park’.
“Ne do të udhëtojmë për të zhvilluar një ndeshje të mirë. Kemi humbur 4-1 por ky është futboll dhe asgjë nuk i dihet. E rëndësishme është që të tregojmë lojë të mirë, dhe fitorja me Baselin na ka dhënë motiv të madh”, tha Florenti për Telegrafin.
Ndërkohë talenti i transferuar te Young Boys në afatin kalimtar dimëror, Taulant Seferi, shpreson të luajë në këtë takim dhe të tregojë një ndeshje të mirë.
“Shpresoj që të kem rastin të luaj në këtë takim. Everton është një skuadër e madhe, por ne synojmë të zhvillojmë një lojë të mirë. Nëse do të më vije rasti të shënoj do të ishte fantastike”, deklaroi Seferi për Telegrafin.
Që të dy lojtarët shqiptarë u aktivizuan në ndeshjen e parë, mbrojtësi i djathtë Florent Hadergjonaj luajti për gjatë 90 minutave, ndërsa mesfushori ofensiv,Taulant Seferi u inkuadrua në pjesën e dytë.
Foto e dy talenteve shqiptarë është bërë në aeroplan dhe është dërguar për Telegrafin nga dy ‘xhevahiret’ tanë. /Telegrafi/


