Abdixhiku: Të mos financohet më RTK-ja, ky institucion qymez
Lumir Abdixhiku i “Riinvest”-it, në prag të përfundimit të ditës së shënimit të përvjetorit të 7-të të pavarësisë së Kosovës, ka kërkuar që t’i jepet fund financimit të RTK-së.
Abdixhiku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se do të kishte qenë e udhës që, “për me nisë vitin e 8-të të shtetësisë me këmbë të mbarë – si për fillim – të ndërpritet superfinancimi i RTK-së dhe propagandës trushpëlarëse të saj”.
“E pakuptimtë që plot 10 milionë euro në vit, përkatësisht 27,397 euro në ditë – çdo ditë e çdo vit – i japim nga buxheti i shtetit për këtë institucion qymez kaherë të uzurpuar e zaptuar; që edhe në ditë të shtetësisë, si çdo ditë tjetër, bën argat të ulët propagando-partiak”, thotë Abdixhiku, transmeton Koha.net.
Sipas tij, do të kishte qenë mirë që “së paku me taksa të mos mbajmë këtë mjerim”.
Në kohën kur Abdixhiku ka komentuar për këtë çështje, në televizionin publik ka qenë duke u transmetuar një intervistë direkte me kryeparlamentarin e Kosovës, njëherësh nënkryetar i PDK-së, Kadri Veseli.


