Intervistohen kandidatët për kryeshef të PTK-së
Kandidatët për kryeshef të PTK-së, sot janë intervistuar nga Bordi i kësaj ndërmarrje. Por, intervistimi për ta nuk është ndal me kaq. Ata janë ftuar që më 19 të këtij muaji para bordi ta shpalosin vizionin e tyre me ‘power point’ për PTK-në.
E njëri nga kandidatët e për kryeshef pretendon se ishte i shkëlqyer në intervistim.
“Para panelit prezantova vizionin tim të menaxhimit te korporatës në periudhën 2015-2018. Kam kaluar mire dhe ka qenë opinion imi se paneli e ka pranuar me shumë interesim vizionin dhe sfidat e prezantuara nga ana ime”, kështu ka njoftuar miqtë e tij njëri nga të intervistuarit.
Në anën tjetër, PTK ka refuzuar të bëjë publike emrat e kandidatëve për kryeshef të PTK-së.
Gazeta Tribuna ka siguruar emrat e disa prej kandidatëve të cilët do të aplikojnë për pozitën e kryeshefit të PTK-së.
Garës për të parin e kësaj ndërmarrje i ka hyrë ish drejtori i Aeroportit të Prishtinës, Agron Mustafa. Në garë janë edhe Albin Mulaku i cili është në lidhje të ngushtë familjare me kryetarin e Vushtrrisë, Bajram Mulaku. Pjesë e garës për këtë pozitë është edhe U.D. i kryeshefit të PTK-së, Mehdi Latfiaj. Konkurrent do të jenë edhe Sebahudin Ramaxhiku, Faton Abazi, Ardian Uka dhe Nuredin Krasniqi.
Ndryshe, Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), ka shpall konkurs për kryeshef ekzekutiv. Konkursi për kryeshef ekzekutiv është hapur në bazë të nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe vendimit të datës 26.11.2011 të Bordit të Drejtorëve të PTK-së.
Ky konkurs ka qenë i hapur nga shtatori i vitit të kaluar menaxhohet nga ushtruesi i detyrës, Mehdi Latifaj.
Latifaj ishte emëruar u.d nga bordi i drejtorëve pas shkarkimit të Ejup Qerimit.
Ky i fundit ishte shkarkuar nga Bordi i Drejtorëve për shkak të performancës së dobët.
Sipas konkursit të publikuar në ueb faqen zyrtare të PTK-së, kandidatët e interesuar për këtë post duhet të kenë minimum diplomë universitare nga fusha e shkencave teknike, ekonomike, juridike, menaxhment të biznesit ose fusha të ngjashme.
“Minimum shtatë vjet përvojë pune relevante, ku prej të cilave së paku pesë vite në menaxhment të nivelit të lartë në fushën e administrimit të biznesit, financave korporative, konsulencë në biznes ose industri ose në një fushë tjetër që lidhet ngushtë me veprimtarinë e PTK-së”, thuhet në konkurs.
Po ashtu shtohet se kandidatët duhet të kenë eksperiencë në nivel të lartë të menaxhmentit në ambient konkurrues e që është përparësi përvoja e suksesshme në implementimin e ndryshimit të menaxhmentit dhe/ose ndryshimeve të shpejta ose të reja të tregjeve dhe industrive. /Gazeta Tribuna/


