Rroga e Xhakës, 625 herë më e madhe se e një futbollisti në Kosovë
Rrogat e futbollistëve në Kosovë me të vërtet janë të mjerueshme. Rroga mesatare mujore e një futbollistit në Superligën e Kosovës sillet afro 300 euro, që i bie 3600 euro në vit, të cilave, po t’ua shtojmë edhe rreth 400 euro nga premitë, e rrumbullakojmë me 4000 euro në vit, shkruan Zëri.
Ndërkaq, Granit Xhaka, i cili e ka fatin të luajë në Bundesligën gjermane, me ekipin e Borussia Monchengladbachut, paguhet 2,5 milionë euro në vit, përcjell Zëri.
Kjo i bie që një futbollistit që luan në Kosovë, i nevojitet të luajë 625 vjet, për ta arritur rrogën vjetore të Granit Xhakës. E pabesueshme, por e vërtetë.
Po nëse shkojmë më larg, një futbollistit kosovar i duhet të luajë 5566 vjet, për ta arritur rrogën vjetore të lojtarit më të paguar në botë, Lionel Messi, rroga e së cilit në vit shkon mbi 20 milionë euro. Ky është realiteti i futbollit kosovar… /Zëri/


