Reparti i pediatrisë në Gjilan storie e suksesit
Gjilan – Reparti i pediatrisë falë angazhimit dhe entuziazmit të jashtëzakonshëm ka arritur të jetë në nivel të detyrës duke ofruar shërbime specialistike profesionale. Jemi zotuar që të vazhdojmë drejtë rritjes së cilësisë gjithnjë në të mirë të pacientëve tanë të vegjël për një trajtim të mirëfilltë profesional thotë Sadik Rashiti shef i pediatrisë në Gjilan.
“Në repartin e pediatrisë pranë spitalit të përgjithshëm në Gjilan, për vitin 2016, kishim gjithsejtë mbi 9875 fëmijë të vizituar në ambulancën specialistike pediatrike dhe në repartin pediatrik gjatë kujdestarive 24 h, prej tyre 1197 fëmijë u pranuan dhe u trajtuan në reparte, nga ky numër kishim vetëm 19 fëmijë të transferuar në QKUK” shprehet Sadik Rashiti.
Sipas Sadik Rashitit shef i repartit të pediatrisë nga puna e tyre ekipore në përbërje prej 9 pediatërve dhe 14 infermiereve, mundë të thuhet shumë me modesti se stafi ka qenë në nivel të lartë të detyrës dhe puna është kryer me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. “Kjo dëshmohet edhe nga prindërit të cilët janë mirënjohës dhe falënderues për trajtimin e fëmijëve që i është bërë në repartin tonë specialistik. Jemi zotuar që të vazhdojmë drejtë rritjes së cilësisë gjithnjë në të mirë të pacientëve tanë të vegjël për një trajtim të mirëfilltë profesional” tha Rashiti.
Sipas tij nga donatorët dhe në marrëveshje me menaxhmentin e spitalit ketë vit na janë dhuruar 28 shtretër për fëmijët tanë, dhe mbetet që vitin e ardhshëm të vendosen lavamanët nëpër të gjithë dhomat e pacienteve si edhe klimatizimi në tërë repartin.
“Nga MSH na është dhuruar një aparat Ultrasonografik i sofistikuar për çka na obligon edhe më tepër që të jemi më të saktë në diagnostifikimin dhe trajtimin e mirëfilltë të fëmijëve të cilat kanë nevojë për kurim. Bashkëpunimi me Grupin Nacional të dalë nga MSH si edhe me OBSH ka qenë në nivel të lartë, gjatë vizitave të bëra në qershor dhe nëntor të këtij viti si edhe përdorimi i Librit të xhepit për menaxhimin e drejtë të fëmijëve nëpër spitale, është dhe një hap më tutje për trajtim adekuat dhe profesional” shtoj Rashiti
Rashiti thotë se mbetet sfidë e përhershme edukimi i vazhdueshëm i stafit profesional dhe ngritja e lartë e cilësisë profesionale për një trajtim shumë adekuat të fëmijëve tanë për regjionin e Anamoraves. “Uroj që viti 2017 të jetë një vit i sukseseve të gjithëmbarshme si edhe të kemi fëmijë të shendosh ngase nga kjo rrjedh edhe popullata e shendosh” tha Sadik Rashiti shef i repartit të pediatrisë në Gjilan./rajonipress/




