Edhe Nasala është e “prekur” nga vërshimet e lumit Moravë
Nasalë – Nasala fshat me mbi 35 familje, është e “prekur” nga vërshimet e lumit Moravë e Binçit. Sikur dihet, lumi Moravë, është pjesë e Anamoravës dhe e “prek” këtë anë sa herë të bie shi e bie borë. Vetëm një shi mjafton të bie në fshatrat e komunës së Vitisë, pas një ore e gjysmë, toka pjellore e fshatrave Nasalë e Budrikë e Epërme, përmbytet dhe kjo “pamje” duket si të jetë një liqe i madh i kësaj ane të Anamoravës.
Të kota janë premtimet apo deklarimet pompoze e euforike të liderëve komunalë, se sivjet do të rregullohet shtrati i lumit Moravë, për faktin se, këtu do të duhej një projekt madhor ku do ta shpëtojë jo vetëm tokën pjellore qindra e mijëra hektarshe, por edhe fshatrat e banuara përafër këtij lumi keqbërës e të rrezikshëm për njerëzit e kësaj ane.
Siç dihet, lumi Moravë është bërë një kancer për frymorët, qoftë për njerëz, por edhe për shtazë. Ky ujë nuk pihet e as nuk përdoret në amvisni, por më tepër përdoret për shuarjen e etjes së bagëtisë së këtyre fshatrave. Njëherit, me këtë ujë të lumit Moravë, banorët ujisin kopshtet dhe tokën e tyre të mbjella me perime. Të shtojmë edhe këtë se, nga një kohë e hershme, para 30 vjetësh apo edhe më herët, lumi Moravë është rregulluar nga një investim Ndërkombëtar, ku është hapur shtrati e është ndërtuar bedeni për të mos vërshuar tokat dhe luadhet e fshatrave përrreth. Por, ky “ndërtim” nuk bëri mirë dhe se uji i këtij lumi përherë ka vërshuar shtratin e tij.
Tash është lehtë të kalohet lumi, sidomos në kohë vere, për faktin se, ka vend ku shtrati është ngushtuar nga shelgjet e nga mos kujdesi i faktorit njeri. Pse jo? Shtrati është ngushtuar tejmase sa kalohet me një hap njeriu! Për vajtim janë banorët e fshatit Nasalë, i cilët janë pa ujë të pastërt. Ky ujë i lumit Moravë nuk pihet e as nuk përdoret për amvisni.
Nasalasit patën një “ymyt” se do ta fitojnë ujin nga ujësjellësi që është ndërtuar në arat e fshatit Zhegër, por as sot e kësaj dite, ky ujë nuk është lëshuar për këta banorë, sepse, si thonë ata, ai që e ka fituar tenderin për ta rregulluar ujësjellësin, i ka shtie gypat e dobët, të cilët në disa vende kanë pëlcitur.
Pra, banorët e këtij fshati janë me ujë e pa ujë të pijshëm! Populli, thotë: “Ku s’ka ujë, s’ka jetë”! Edhe Noli i madh, ka shtuar: “Pranë lumit i pa larë…”! Nga kjo “gjendje” ekzistuese, shumë familje të këtij lokaliteti e kanë lëshuar vendlindjen e tyre dhe janë vendosur në qytet apo fshatrat e përafërta të kësaj ane.
Nasalas, mos u brengosni, kur të tjerët nuk kanë ujë, ju e keni ujin me bollëk të Maravës të turbullt e me plot hemikale që vijnë nga kanalizimet e dala drejtpërdrejt në këtë lumë! E para është, ta ruani shëndetin, se njeriun e mban shpresa. Edhe ju shpresoni, se një ditë do të vijë uji i ujësjellësit, por kur, nuk dihet!!! /tefik selimi/rajonipress/


