Ish-punëtorët e KEK-ut, kërkojnë kthimin në vendet e punës
Me parulla në dorë, “Duam bukë”, “Jemi themelues të KEK-ut që prej 1953”, e shumtë të tjera, rreth 65 ish-punëtorë të KEK-ut, kanë protestuar të hënën para Ministrisë së Drejtësisë duke kërkuar kthimin në vendet e tyre të punës.
Gjatë ditës ish-punëtorët janë takuar me ministrinë e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ku pas takimit me këtë të fundit ata morën mbështetje se do të gjejnë një formulim ligjor që të kthehen në vendet e punës.
“Në vitin 2006 na është tjetërsuar dhunshëm në mënyrë arbitrare statusi nga njësia punuese në kudër të KEK-ut, në shoqëri aksionare domethënë nga bashkëpronari në qiraxhi, ku asetet që i kemi themeluar, i kemi ble me kontribute tona na është dhënë si shoqëri aksionare. Por, ne nuk mundem me mbijetua nga konkurrenca jolegale e konkurrimit në treg, makinat e vjetra dhe mbetëm në rrugën. Ne kërkuam nga ministri Stavilevci mbështetje, ku ministri tha se në koordinim me kryetarin e bordit të KEK-ut, Berat Rukiqi, brenda javës do të gjejmë një formulim ligjor lidhur me kërkesën tonë”, ka thënë Hamdi Sogojeva, ish-punëtor i KEK-ut.
Sipas tij, që nga 2009 kanë kërkuar nga Qeveria që t’u kthehet statusi në njësi punues në kuadër të KEK-ut, mirëpo deri më tash nuk kanë gjetur mbështetje. /Zëri/


