Mobi Casa

Analogjia “ISIS – Vetëvendosje”, e rrezikshme tendenca njësimit

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Arbëresh Dalipi – Mund të jesh shqiptar dhe mysliman – unë jam i tillë – pa qenë përkrahës i ISIS dhe Vetëvendosjes, pavarësisht që këto, as njëra e as tjetra nuk të pranojnë për të tillë. I bindur që ato nuk kanë të drejtën të më përjashtojnë nga islami dhe as nga kombi shqiptar. Assesi, atyre nuk duhet lënë në duar flamurin e fesë dhe të kombit – ato po mashtrojnë në emër të tyre. Kaq të ngjashme janë të dyja – ISIS dhe Vetëvendosje – një shqiptar dhe një mysliman i vërtetë nuk duhet të jetë me asnjërën nga to.

Parimisht, nuk do të duhej të ishte i mjaftueshëm vetëm fakti që pjesëtarët e Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (tutje: ISIS), çdo veprim të vetin e bëjnë duke u thirrur në islam, për ta akuzuar krejt islamin për atë që bën ISIS, sepse ISIS nuk është krejt islami, e logjikisht as e kundërta, njësoj sikur Vetëvendosje! që nuk e përfaqëson kombin shqiptar, pavarësisht që veprimet i bën në emër të kombit shqiptar.

Duhet pranuar që – edhe pse ata vetë nuk e pranojnë – ISIS nuk përfaqëson islamin, edhe pse veprimet e tyre, përherë bëhen duke (keq)përdor dhe duke u thirrur në islamin. Për këtë, nëse veprimet e tyre janë të papranueshme për islamin, kjo duhet të jetë e papranueshme fillimisht për islamikët, që islami të mos bëhet i papranueshëm për pjesën tjetër. Shqiptarët po e bëjnë këtë me Vetëvendosjen, po i kundërshtojnë veprimet e tyre të gabuara në vazhdimësi, që të mos bëhen të papranueshëm për të tjerët – myslimanët po hezitojnë ta kundërshtojnë në këtë shkallë ISIS’in.

Në rastet e ISIS dhe Vetëvendosje!, kemi të bëjmë me zhvatje të kauzës, të flamurit të kombit apo të fesë dhe keqpërdorim të tyre, apo manipulim në emër të tyre. Për më keq, në krejt këtë, është fshehja pas flamurit apo kauzës, kombëtare apo fetare, apo edhe të të dyjave bashkë, siç ka tendencë t’i bashkojë kohës së fundit Vetëvendosje – dy kauza në një; fetare dhe nacionale. Dhe në një debat përballë tyre, në syrin e publikut të rëndomtë e të pavetëdijshëm, je i humbur, sepse ata fshihen pas mburojash të tilla, të ngritura për t’u fshehur, për ta lajthitur palën e tretë.

Është interesante që edhe ata që janë islamikë, e deklarojnë se ISIS nuk e përfaqëson islamin, por në momentin kur një person kritikon veprimet e tyre, janë të parët myslimanët të cilët e kundërshtojnë atë kritikë duke e quajtur islamofobi apo urrejtje ndaj islamit, se që të shpallin jomysliman po e po – kjo që në fillim të debatit. Kështu ndodh edhe kur kritikon veprimet e Vetëvendosjes. Kaq të ngjashme janë këto dyja.

Nëse dikush, që është lindur në një familje shqiptare, të besimit islam, dhe për sa kohë nuk e ka mohuar as njërën e as tjetrën, i bie që ende është shqiptar, edhe ende është mysliman, në ndonjë rast do ta kritikojë, qoftë një islamik, qoftë një shqiptar, kjo nuk duhet të nënkuptohej që ai ka hequr apo duhet të heq dorë nga njëra apo nga tjetra, dhe kjo assesi nuk u jep të drejtë as myslimanëve e as shqiptarëve ta shpallin joshqiptar apo kufar, të pafe, në rastin e mospajtimit në mendime. Sepse, kështu të shpallin ISIS’i, kështu të shpall edhe Vetëvendosje, joshqiptar, bashkëpunëtor të Serbisë, të Daçiqit, të dreqit të t’birit…, nëse i kritikon për akëcilin veprim. Këtu fillon ngjashmëria.

ISIS dhe Vetëvendosje!, janë analogjike, për faktin se këto të dyja, në çdo stad janë të ngjashme dhe i bashkon ajo pika e kundërligjshme “e mosdurimit të tjetrit”. ISIS nuk pranojnë asnjë fe tjetër, këta nuk pranojnë asnjë parti tjetër.

Hipokrizia është emërues i përbashkët edhe i ISIS edhe i Vetëvendosjes! Edhe imamët pro ISIS, sikundër edhe liderët e përfaqësues të tjerë të Vetëvendosjes, në të gjitha ligjëratat e tyre mbjellin urrejtje e bëjnë thirrje për dhunë, dhe kur këto predikime rezultojnë me akte dhune, sikur ligjëruesit pro ISIS’it që më pas kundërshtojnë përgjegjësinë me deklaratat se islami është fe e paqes, ashtu edhe propaganduesit e Vetëvendosjes, thonë që ata që shkaktuan dhunë nuk janë të Vetëvendosjes, se këtë nuk e bën Vetëvendosja – ani pse gjatë gjithë kohës, po këtë gjë propagandojnë.

Për ata, edhe myslimanët që nuk janë pjesë e ISIS, janë kufarë, të dalë nga feja, dhe për këta, çdo shqiptar që nuk i shkon pas Vetëvendosjes!, është joshqiptar, i dalë nga kombi – tradhtar.

Mobi Casa

Është edhe një, si rastësi, që edhe në radhët e ISIS e edhe në radhët e Vetëvendosjes, ka pjesëtarë të cilët dikur kanë qenë në një formë a tjetër, bashkëpunëtorë të armiqve të tyre të sotëm, në mos produkt i tyre – çudi! Për çudi, pikërisht të tillët, janë më ekstremistë, më të zëshëm, më urryes. Rast për komentime konspiracionistësh.

ISIS më shumë vret myslimanë se, ta zëmë, kurdë apo amerikanë. Edhe Vetëvendosje, më armiq i ka shqiptarët, se ta zëmë, serbët. Sepse, Vetëvendosjes! më shumë i janë vrarë shqiptarë, apo më shumë ka dëmtuar prona shqiptare se që ka dëmtuar prona serbe!

Pushteti me luftë është pika që gjithashtu njëson në një mentalitet, ISIS’in dhe Vetëvendosjen.

Rekrutimi i adoleshentëve, të miturve, gjithashtu sikur për ISIS është karakteristikë edhe për doktrinën e Vetëvendosjes!

Edhe ISIS, edhe Vetëvendosje, veprimtarinë e tyre e bazojnë në kultin e liderit, më shumë se në udhëzimin e fesë apo interesin e kombit në rastin e dytë.

Edhe Vetëvendosje synon ribërjen e shtetit sipas një rendi të ri, pas rrënimit total të shtetit ekzistues, ashtu siç është në rrugë të njëjtë ISIS.

Produktet Hallall për islamikët radikalë seç më ngjajnë njësoj sikur këmbëngulja e Vetëvendosjes! për produktet vendore! Je serb nëse ha plazma keks 🙂

E vota pro mbulesës, ndoshta mund të jetë rastësi në krejt këtë rrëfim trishtues.

Kurse votimi kundër ligjit për parandalimin e shkuarjes së luftëtarëve kosovarë në luftën e Sirisë dhe Irakut, e çon Vetëvendosjen drejt, jo më analogjisë, por njësimit me ISIS-in