E-Novine: Kaos, ryshfet, shantazh në komunën e Medvegjës
Gazeta serbe “E-Novine” ka bërë në shkrim të gjatë për Medvegjën, me akuza të rënda për udhëheqësin e saj të përfshirë në krim dhe korrupsion.
“Pas disa ditëve të shënuara me incidente të shumta, kërcënime, lobim, ryshfet dhe shantazh, për kryetar të komunës së Medvegjës është zgjedhur Dragisha Petroviq, ish-anëtar i njësive para-policore të Millosheviqit, i cili u bë i famshëm nga pjesëmarrja në luftën në Kosovë”, shkruan gazeta serbe “E-novine”.
Kryetari i ri i komunës u zgjodh pothuajse unanimisht nën presionin e lartë të strukturave lokale të sigurisë që pasuan pas përpjekjeve të dështuara që këtë post të lartë në qeverinë lokale ta marrë ish-kryetarja e kuvendit komunal, Natasha Filliq, një figurë e komprometuar dhe e përfshirë në skandalet e shumta, si dhe një nga bashkëpunëtoret e afërta të ish-kryetarit komunal, i cili vdiq para disa kohësh, Sllobodan Drashkoviq.
Sipas kësaj gazete, me rastin e ngjarjeve dramatike në Medvegjë, në redaksinë e portalit “e-Novine” ka arritur letra e adresuar nga Haki Eminoviq, një përfaqësues i shquar i komunitetit shqiptar në këtë qytet të vogël në jug të Serbisë, i cili theksoi se për shkak të shkrimeve të mëparshme mbi marrëdhëniet në mes të autoriteteve lokale dhe krimit të organizuar, udhëheqësit lokalë dhe pjesëtarët e strukturave shtetërore të sigurisë, në mënyrë të përsëritur, e kanë kërcënuar seriozisht gjatë ditëve të fundit, prandaj ndihet i frikësuar për sigurinë personale dhe të familjes së tij.
“Sipas informacioneve zyrtare nga parlamenti lokal, për kryebashkiak të ri të Medvegjës u zgjodh sipërmarrësi privat dhe anëtari i grupit të qytetarëve “Gornja Jablanica”, Dragisha Petroviq (63), i cili në rrethin lokal është i njohur si pjesëtarë në policinë rezervë të Millosheviqit dhe pjesëmarrës në luftën e Kosovës. Ai në funksionin e ri është zgjedhur pas një seance maratonike të asamblesë lokale, ku gjatë gjithë kohës morën pjesë përfaqësues të OSBE-së, të cilët gjendeshin atje me ftesë të anëtarëve nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) të Riza Halimit, i cili, së bashku me deputetin tjetër republikan, Shaip Kamberi, ditëve të mëparshme qëndruan për një vizitë të jashtëzakonshme në Medvegjë, për të parandaluar deputetët e partisë së tij të braktisin koalicionin aktual qeverisës të zhytur në krim”, shkruan E-Novine.
Për të mbrojtur interesat kriminale të zyrtarëve të tyre lokal të partisë, Halimi në këtë rast u ankua për presionin e pretenduar nga “grupe të caktuara të shqiptarëve etnikë dhe partive opozitare serbe,” duke iu referuar protestave të qytetarëve që spontanisht u mblodhën për të mbështetur vendimin e mëparshëm të përfaqësuesve të tyre për të mos mbështetur zgjedhjen e Natasha Filliq, një bashkëpunëtore e ngushtë e të “fortit” lokal të vdekur para disa muajsh, Slobodan Draskovic. Pra, në sajë të Halimit dhe Kamberit, elita politike shqiptare nga jugu i Serbisë, në skenën e hapur, u gjet në punën e përbashkët me strukturat lokale politike dhe të sigurisë serbe me të cilat për më shumë se një dekadë e ndajnë qeverisjen komunale në Medvegjë, struktura që u afirmuan me aktivitetet e tyre kriminale, diskriminimin e hapur dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve etnikë.
Konflikti midis këshilltarëve partiak të Halimit dhe votuesve të tyre kishte ndodhur në të njëjtën kohë me tensionet politike ndërmjet partive serbe në Medvegjë që janë të pranishme për një kohë të gjatë dhe që arritën kulmin të hënën kur Natasha Filliq nuk ka marrë numrin e kërkuar të votave për postin e kryetares dhe kur seanca u ndërpre për shkak të konfliktit rreth numërimit të votave.
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Medvegjës, më pas u zhvillua procedura e votimit për zgjedhjen e kryetarit të komunës në të cilën Filliq ishte kandidate e vetme. Votimi në atë rast u zhvillua plotësisht në mënyrë të rregullt, votat u numëruan tre herë në mënyrë që të shmangen gabimet dhe dyshimet e mundshme në lidhje me rregullsinë e zgjedhjeve, kurse si dëshmi u nënshkrua procesverbali nga kryetari dhe sekretari i Medvegjës dhe dy anëtarë nga grupe të ndryshme të deputetëve në nivel lokal. Kandidati i propozuar i koalicionit në pushtet fitoi 17 vota, ndërsa 18 fletëvotime ishin të pavlefshme, që do të thotë se nuk ka marrë shumicën e kërkuar dhe me këtë rast ajo nuk është zgjedhur për kryetare të komunës.
Pavarësisht procedurës së rreptë për votim dhe numërimin e fletëve të votimit, pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe pauzës që zgjati më shumë se një orë, koalicioni qeverisës propozoi që të rinumërohen votat sepse gjatë tre numërimeve të mëparshme mund të ketë pasur ndonjë parregullsi. Për shkak të dyshimit se gjatë pauzës mund të jenë ndërruar votat për falsifikimin e rezultateve, opozita e kundërshtoi me forcë propozimin e shumicës në pushtet. Pasi që sesioni i parlamentit lokal transmetohet drejtpërdrejt në radio lokale, qytetarët e revoltuar me manipulimin në tentativë, i cili nuk ndodhë për herë të parë, u mblodhën në mënyrë spontane dhe nën ndikimin e emocioneve dhe zemërimit, u tubuan në komunë për të shprehur pakënaqësinë me sjelljen e pushtetarëve lokal.
Pasi e gjithë kjo po ndodhte derisa seanca ishte ende duke vijuar, nga salla doli zëvendës kryetari, Florim Sahiti, anëtar i PVD-së dhe në korridor u takua me një qytetar të cilin më pas e kishte shtyrë, duke krijuar një gjendje konfuzioni, kurse më pas nga salla dolën edhe këshilltarët opozitar që parandaluan një incident më të madh. Pas incidentit në ndërtesën e komunës erdhi policia, kurse mbledhja ishte ndërprerë dhe ishte shtyrë për të nesërmen.
Konflikti i zëvendës kryetarit komunal me qytetarët, të cilët protestuan kundër përpjekjeve që në mënyrë të paligjshme të vendosen persona të komprometuar në krye të administratës komunale, deputetët lokal të koalicionit në pushtet shfrytëzuan mundësinë për të thirrur në ndihmë pjesëtarët e strukturave të sigurisë por edhe Riza Halimin, i cili nën pretekstin e rrejshëm për presion etnik ndaj deputetëve të tij (ndoshta nga bashkatdhetarët e tyre), në seancë kishte sjellë edhe përfaqësues të OSBE-së.
Kërcënimet ndaj Haki Eminoviqit
Paralelisht me ngjarjet dramatike në parlamentin lokal, në rrugët e Medvegjës, ka qenë një lloj përballje me “elemente të papërshtatshme”. Redaksia e portalit “e-Novine” ka pranuar një letër nga Haki Eminoviq, një përfaqësues i shquar i komunitetit shqiptar në këtë qytet të vogël në jug të Serbisë, që është bërë i njohur për publikun me zbulimin e aktiviteteve kriminale të koalicionit në pushtetin lokal dhe prerjeve masive të paligjshme të drunjve në fshatrat shqiptare në kufirin me Kosovën.
“Kur isha ulur në një kafiteri lokale me Ruhan Muharremin, në tavolinën tonë u afrua zëvendës kryetari i komunës, Florim Sahiti, i cili duke treguar sjellje të dhunshme, në këtë rast, të gjitha karriget rreth tavolinës sonë i përplasi drejt meje. Për të shmangur incidente të mëtejshme, pa ndonjë kundër-reagim, kërkova nga shoku im për të lënë ambientet dhe menjëherë dolëm jashtë dhe ndalëm një taksi. Menjëherë pas kësaj ne u ndalëm në një dyqan në qytet, në të cilin, në mënyrë që të konfrontohet me ne, përsëri erdhi Sahiti. Me këtë rast ai mu drejtua në mënyrë joadekuate, duke sharë nënën time dhe tërthorazi më kërcënoi për pasoja tjera. Nga frika për sigurinë time dhe të familjes së time, unë u largova nga qyteti dhe që nga atëherë unë nuk dukem në Medvegjë”, thekson në letër, Eminoviq.
Ai rikujtoi se Sahiti është personi i cili është i përfshirë drejtpërdrejt në prerjet kriminale të pyllit në rrethinën e Medvegjës dhe i cili, edhe pse i takon bashkësisë etnike shqiptare, tërë kohën në pushtetin lokal mbeti i heshtur përderisa shqiptarët ishin të privuar nga vendbanimi dhe adresa.
“Për shkak të asaj që ka ndodhur me mua në ditët e fundit dhe kërcënimeve që familja ime dhe unë i kemi pranuar, jam i detyruar të kërkoj mbrojtjen e policisë dhe në këtë mënyrë të paralajmërojë publikun se kush do të jetë përgjegjës në qoftë se për shkak të mungesës së mbrojtjes më ndodh diçka. Gjithashtu shfrytëzojë këtë mundësi që edhe një herë të apelojë tek institucionet republikane të Serbisë që më në fund të reagojnë, të mbrojnë ligjin duke parandaluar prerjen ilegale të mëtejshme të pyjeve në fshatrat përreth Medvegjës, e cila ka marrë përmasa të jashtëzakonshme”,tha Haki Eminoviq në letrën tij. E-Novine


