Muhamet Mustafa: Trepçën po e shpëtojmë nga serbët dhe grekët
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri i në Kuvendit e Kosovës, Muhamet Mustafa thotë se projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike do ta shpëtonte Trepçën nga pretenduesit që kërkojnë hise në këtë kompani. Mustafa në një intervistë për Gazetën Tribuna, thotë se kreditori më i madh pretendues i Trepçës është një kompani greke e cila gjoja ka investuar, ose i ka dhënë kredi Trepçës në vitet 90-ta, kur kjo kompani është uzurpuar nga regjimi i Millosheviqit. Ai po ashtu ka bërë të ditur se shumica prej 1300 kreditorëve pretendues janë nga Serbia. Mustafa konsideron se nëse Trepça nuk i kthehet shtetit dhe i jepet ndonjë investitori privat, do ta sillte atë në një proces likuidimi shumë të diskutueshëm pasi do të ngelte nën mëshirën e një bordi që e formojnë kreditorët.
Gazeta Tribuna: Cili është interesi i shtetit që ndërmarrja “Trepça”, të hiqet nga menaxhimi prej AKP-së?
Mustafa: Në fakt ky nuk është insistimi i AKP-së, por pas 2 shkurtit do të mund të ishte një vendim i Dhomës Speciale pranë Gjykatës Supreme. AKP ka qenë e paralajmëruar se kjo mund të ndodhë , gjë që do ta sillte Trepçë në një proces likuidimi shumë të diskutueshëm pasi do të ngelte nën mëshirën e një bordi që e formojnë kreditorët , të cilët nga pikëpamja ime janë shumë të diskutueshëm.
Për shembull kreditori më i madh pretendues është një kompani greke e cila gjoja ka investuar, ose i ka dhënë kredi Trepçës në vitet 90-ta, kur kjo kompani është uzurpuar nga regjimi i Millosheviqit dhe në kohen kur transaksionet ndërkombëtare financiare e tregtare kanë qenë të ndaluara me Serbinë, sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB.
Shumica prej 1300 kreditorëve pretendues janë nga Serbia , supozoj se do të provohet se shumica janë fiktiv , mirëpo një ligj i aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2011, të cilin një pjesë e deputetëve e kemi pas kundërshtuar, i ven ata në pozitë më të volitshme se sa punëtorët e pronarët e që është një absurd i llojit të vet. Bile për çudi afati i paraqitjes së kreditorëve ka qenë shtyrë së paku dy herë. Parandej këto nuk ishin zhvillime të mira dhe do të mund të kishin pasoja shumë të këqija për këtë kompani që ka një rëndësi të posaçme për ekonominë nacionale.
Më të marrë këto informata nga AKP Komisioni Parlamentar dhe Qeveria me urgjencë kanë marrë masat që të procedohet projekti i ligjit për ndryshimin ligjit mbi NP me të cilin Trepça do të mund të merrte statusin e ndërmarrjes publike dhe në këtë mënyrë nga do të nxirrej nga kompetencat e AKP-së e me këtë edhe të Dhomës Speciale , në mënyrë që Kuvendit dhe Qeverisë , përkatësisht Ministria përkatëse do të vijonin procesin e ristrukturimit dhe transformimit e konsolidimit të saj në pajtim me interesat ekonomike të vendit dhe punonjësve të saj. Kjo iniciativë është diskutuar edhe në mandatin e kaluar, por gjërat kanë shkuar ngathet, me kontroverse dhe paqartësi të duhur, kështu që procedurat në Kuvend ngecen.
Gazeta Tribuna: Cilët janë hapat që do të ndërmerren për rivitalizmin e Trepçës?
Mustafa: Komisioni në mbledhjen e sotme do të diskutojë projektligjin që e ka proceduar Qeveria në mënyrë shumë efikase dhe besoj se të hënën do të aprovohet ky ligj me zgjidhjet që i paraqita më lartë.
Gazeta Tribuna: Cili do të jetë impakti në ekonominë vendore rivitalizimi i Trepçës?
Mustafa: Kur Qeveria dhe Kuvendi ta marrin nën përkujdesje të tyre zhvillimin e mëtejmë të këtij statusi do të zhvillohen diskutime dhe konsultime me gjithë akterët e interesuar, pastaj ekspertë e afaristë dhe do të aprovohet, besoj me një konsensus të nivelit të lartë strategjia e mëtejme e shndërrimit të Trepçës në një organizatë çfarë duhet të jetë në shërbim të zhvillimit të vendit. /GazetaTribuna/


