Dekreti i presidentes i bazuar në shkelje mbetet në fuqi
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk e ka tërhequr dekretin për faljen e një të dënuari recidivist, ani se ka përfituar me shkelje ligjore, shkruan sot Koha Ditore.
Sedat Berisha ishte falur vitin e kaluar në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Por, ai ligjërisht nuk mund të përfitonte, sepse kishte 12 aktakuza për vepra të rënda të vjedhjeve. Presidenca kishte kërkuar sqarime, por nuk dihen masat që janë ndërmarrë kundër përgjegjësve për këto lëshime.
Sivjet, më 17 shkurt, presidentja sërish do të nxjerrë një dekret për falje. Vjet kishin përfituar vetëm dy të dënuar, përcjell koha.net. Njërit nuk i takonte mëshira. Presidenca ka sqaruar të enjten se dekreti nuk është shfuqizuar, por ka kërkuar sqarime dhe llogari për lëshimet. (Koha)


