Fundamenti

“Srbska” s’mund ta pengoj formimin e ushtrisë

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Ende nuk dihet nëse Lista “Srbska” do ta mbështes ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës me qëllim të shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), megjithatë sipas ekspertëve të çështjeve kushtetuese Kosova mund të ketë ushtri edhe pa ndryshimin e Kushtetutës. Sipas tyre në rast se serbët në Kuvend nuk e përkrahin ndryshimin e Kushtetutës, atëherë formimi i ushtrisë së vendit mund të bëhet vetëm përmes ndryshimit të disa ligjeve, ndryshime këto që do t’i mundësonin FSK-së transformime organizative, strukturale e funksionale.

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, FSK-së është forcë kombëtare e sigurisë dhe mbron qytetarët e vendit.

“Neni 126 [Forca e Sigurisë e Kosovës]

1. Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës, dhe mund të dërgoj pjesëtarët e saj jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare.

2. Forca e Sigurisë e Kosovës mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj”.

Profesori universitar, Riza Smaka ka thënë se mund të pritet që Lista “Srpska” bëjë kushtëzime me kërkesat e saj për fuqizimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përkitazi me modifikimet kushtetutare për të krijuar bazë juridike për aktin ligjor me të cilin do të transformohej FSK-ja në FAK.

ARKATANA

“Nëse do të ndodhte kështu, gjë që pritet të ngjan, atëherë Qeveria e Kosovës do të duhej të përgatiste akt ligjor me të cilin shkarazi do të duhej të krijohej bazë legale për transformimin e FSK-së në FAK. Rrjedhimisht do të duhej që me akte nënligjore, siç mund të jetë udhëzimi administrativ, rregullorja si dhe dekreti për të praktikuar zgjidhje edhe më të afërme në favorin e krijimit të bazave legale për transformime organizative, strukturale e funksionale të FSK-së në një format më të lartë e serioz referuar mbrojtës së vendit”, ka vlerësuar Smaka.

Sipas tij, për t’u bërë këto punë profesionale gjithsesi kërkohet ekspertizë juridike afirmative dhe punë serioze në mënyrë që të mos mund të kontestohen zgjidhjet juridike në atë drejtim.

Edhe profesori, Mazllum Baraliu ka vlerësuar se lista serbe mund të kundërshtoj shndërrimin e FSK-së në FAK, mirëpo edhe Baraliu ka thënë se vendi mund të ketë ushtri edhe pa ndryshime kushtetuese.

“Mund të bëhet ndryshimi, avancimi dhe modifikimi i emrit, strukturës dhe pozitës së FSK-së edhe pa ndryshime kushtetuese, pra përmes ligjeve. Por ata që ishin në pushtet mandatin e kaluar dëshironin që ta bënin më atraktive çështjen transformimit të FSK-së, për shkak të zgjedhjeve, duke menduar se ajo do të sjellë më shumë vota, por edhe për çështje të veta strategjike, duke siguruar edhe përkrahje për çështje tjera, si formimi i Gjykatës Speciale”, ka potencuar Baraliu.

Ai më tej ka shtuar se janë disa çështje tjera më të rëndësishme për FSK-në sesa ndryshimi i emrit.

“Nuk duhet të komplikohen gjërat aq shumë dhe nuk është shumë i rëndësishëm ndërrimi i emrit, por duhet të bëhet më shumë punë për një strategji të mirë, të punohet më shumë rreth një statusi të ri në raport me NATO-n, të blihen armë më të mira, duhet të bëhet një reformim i brendshëm”, ka përfunduar Baraliu./zeri/