10 janari, afati i fundit kur Qeveria duhet të reflektojë për rritjen e pagave
Pavarësisht se e nisën gjysmëvjetorin me kohë, nxënësit pas një jave mund të mos mbajnë fare mësim. Kjo për arsye se përfaqësuesit sindikalë të mësimdhënësve të tyre janë të vendosur që të çojnë deri në fund kërkesën për ngritje të pagave. Ashtu edhe siç iu kishte premtuar ish-kryeministri Hashim Thaçi, si dhe zbatimin e plotë të kontratës kolektive, raporton KTV.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, është shprehur se deri më 9 janar do të presin dhe nëse nuk ka zgjidhje eventuale, atëherë do të pasojnë veprimet sindikale.
Por të të njëjtit mendim nuk janë përfaqësuesit e sindikatës tjetër të formuar kohët e fundit.
Artan Mjekiqi, nga Sindikata e Arsimit dhe e Kulturës, thotë se në këtë kohë askujt nuk i konvenon greva, por duhet të krijojnë mekanizma bindës që qeveria të realizojë premtimin e mëhershëm.
Sektori i Arsimit ka pasur rritje të herëpashershme të pagave.
Në rast se sindikatat përfaqësuese të mësimdhënësve kanë vërejtur se mund të mos ketë ngritje, atëherë menjëherë kanë marrë masa dhe kështu pagesat e mësimdhënësve krahasuar me sektorët e tjerë cilësohen si më stabilet për kushtet aktuale në Kosovë.
Sindikalistët thonë se çdo herë kanë kërkuar rritje të pagave, pasi nga këto rritje varet cilësia në arsim.
Kontrata kolektive është nënshkruar në muajin maj të vitit të kaluar, transmeton Koha.net.
Por, për shkak të implikimeve financiare, tri pikat e kontratës kanë mbetur pa u plotësuar.


