‘Shtatzënia e Norës e paplanifikuar, gjininë do ta mësojmë ditën e lindjes’
Një fëmijë në jetën e saj është më i rëndësishëm se çdo garë televizive, arsye kjo pse këngëtarja kosovare Nora Istrefi la në mes “Dance with me” në “Tv Klan”. Në finalen e spektaklit (të hënën), që shpalli fitues Sabri Fejzullahun dhe Rozana Radin, Nora u ngjit në skenë si këngëtare, ku nuk ngurroi të ekspozonte linjat e saj e tani është 4 muaj shtatzënë. Për herë të parë bashkëshorti muzikant, Robert Berisha, e shoqëroi në piano, ndërsa ajo performoi këngën “Stay”. Për jetën e tyre pas martesës dhe fëmijën që presin së shpejti, flet për “Panorama Plus” Roberti.
Për herë të parë shfaqesh në një spektakël shqiptar, duke shoqëruar Norën në piano. Cilat janë ndjesitë në pritje për t’u bërë baba?
Po, vendosa të isha dhe unë i pranishëm në finalen e “Dance ëith me”, duke e shoqëruar Norën në piano, ndërsa ajo performoi këngën “Stay”. Nuk di ç’të them, pasi është emocion që nuk e kam përjetuar ndonjëherë në jetë. Di të them se nuk më pritet deri në muajin maj, kur Nora do të më bëjë baba. Fëmijët i dua shumë, ndaj besoj se do të jem baba i mirë.
Fëmija juaj i parë është vajzë apo djalë?
Kemi preferuar të mos e mësojmë gjininë e fëmijës deri sa ai të vijë në jetë. Gjithsesi, nuk ka rëndësi nëse do të jetë djalë apo vajzë. Për ne ka rëndësi të jetë i shëndetshëm.
Do të ndryshojë stili juaj i jetës pasi të bëheni prindër? Ju trembin rregullat e martesës?
Unë mendoj se kjo ka qenë koha e duhur që unë dhe Nora të bëhemi me fëmijë. Sa për stilin e jetës, mund të them se ka ndryshuar që në kohën kur u bëmë bashkë. Personalisht unë punoj, ushtrohem në palestër, ndërsa jetën e natës e kam lënë. Kështu jam gati të kujdesem për fëmijën tim 24 orë në shtatë ditë të javës. Sa për martesën, ne jemi të lidhur prej tetë vitesh, prej pesë vitesh bashkëjetojmë, ndaj martesa na duket e njëjta gjë. Për ne dasma që organizuam në verë, ishte vetëm një “party”.
Një fëmijë menjëherë pas ceremonisë së dasmës, njësoj si çiftet tradicionale shqiptare. E kishit planifikuar?
Jooo. Nuk e kishim plan të sillnim në jetë një fëmijë, por kështu pa planifikim ndodhi shumë mirë. Dua të them se të gjitha mund t’i planifikosh në jetë, por të sjellësh në jetë fëmijë s’mundesh ta bësh me plan, s’ka mundësi…
Puna juaj si muzikant ju merr shumë kohë, do ia besoni një dadoje fëmijën tuaj më vonë?
Ndoshta më vonë po, por në fillim do të kujdesemi vetë. Përveç kësaj, e kam mamanë në gjendje për ta mbajtur dhe me përvojë, kështu që do kemi ndihmën e saj.
Dihet që të dy jeni shumë të dhënë pas palestrës. Ke frikë se mos ndoshta pas shtatzënisë Nora nuk do të ketë më trupin prefekt?
Jo, aspak. Madje që tani ajo nuk duket se është shtatzënë në sajë kujdesit që ka treguar për linjat. Ka bark të bukur e të palestruar dhe është shumë normale që ta ekspozojë edhe tani me fëmijën në bark. Besoj që me palestër dhe kujdesin që tregon në ushqim, Nora do e mbajë trupin në formë. Fizikun e mirë ajo e ka dhe nga natyra, por 80 për qind e suksesit vjen ngaqë Nora e kontrollon veten në ushqimet që merr këtë periudhë të shtatzënisë. Ne normalisht kemi një regjim tonin si çift, që do ua këshilloja të gjithëve. Ushqehemi pesë herë në ditë nga pak, nuk konsumojmë fast-food-e, makiato, coca-cola etj. Ushqimi është kryesori në mbajtjen e trupit në formë, alternuar edhe me ushtrime në palestër.(BW)


