Reformat e domosdoshme më 2015
Reformat ligjore e kushtetuese të filluara vite më herët, pritet të vazhdojnë së shpejti. Të paktën ky është zotimi i kryeministrit Mustafa. Ai është zotuar se të paktën reforma zgjedhore do të fillojë shumë shpejt. Ndërsa njohësit e vlerësojnë si shumë të nevojshme fillimin jo vetëm të reformës zgjedhore, por edhe asaj kushtetuese. Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerëson se është shumë e nevojshme qe të fillohet me reformën elektorale.
Por, me kushtin që kjo reformë të mos monopolizohet prej partive të cilat përbëjnë koalicionin qeverisës, por, sipas tij, duhet të përfshihen edhe partitë opozitare. “Sepse, duhet ditur se një reformë elektorale që nuk e favorizon sistemin plural politik, pra nuk i favorizon partitë e vogla përkatësisht u ndalon mënyrën dhe mundësinë e rritjes se partive të vogla, nuk është një reformë që i nevojitet demokracisë që ka Kosova.
Prandaj, për të bërë një gjë të tillë duhet që të ketë një konsensus në Kuvend me të gjitha partitë politike dhe të fillohet nga e para por, që reforma duhet udhëhequr në nivel Kuvendi dhe jo në nivel të Qeverisë”, ka thënë Korenica. E në anën tjetër, ish-anëtari i Komisionit për reforme kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se mungesa e vullnetit politik ka bërë që të mos përfundojnë punën këto dy komisione të mandatura nga Kuvendi i Kosovës.
“Unë kam qenë pjesë e atij komisioni. Kanë qenë dy komisione të mandatuara nga Kuvendi i Kosovës, njëri për reformë kushtetuese dhe tjetri për reformë elektorale. Ai për reformë kushtetuese ka pasur për detyrë që t’i përgatisë amendamentet kushtetuese që kryetari i shtetit, presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe ky për reformë elektorale që rrënjësisht ta ndryshojë në tërësi reformën elektorale dhe ta bëjë një kod për reformën elektorale”, ka thënë Baraliu…(tribuna)


