Kurti: Qeveria s’do ta përfundojë mandatin
Nëse Kosova vazhdon të qeverisë me përfaqësues si Thaçi, Veseli e Jabllanovic, atëherë populli do të përfundojë në përpjekje të emigracionit, kriminalitetit apo në punë për ekstremizëm fetar.
Kështu u shpreh kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në mbledhjen e 18-të, të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes “Vetëvendosje”, në të cilën pos tjerash tha se kjo qeverisje nuk do ta përfundojë mandatin e saj, pasi që, sipas tij, varfëria ekstreme, do ta nxjerrë popullin në protesta. Për sa i përket zhvillimeve të fundit politike në vendin tonë, Kurti tha se shefat e Isa Mustafës janë tri lloje të ndryshme të kriminelëve.
Objektivi për ta, sipas Kurtit, është i qartë, të rehabilitohet Kadri Veseli, Aleksander Jabllanoviqi dhe Hashim Thaçi që janë tre shefat e vërtetë të Isa Mustafës që do të duhej të ishte formalisht shef i tyre.
“Këta tre shefa përfaqësojnë tre lloje të ndryshme të krimit. Krimin mafioz në shërbim të interesave të errëta të juaja që e ka bërë Kadri Veseli dhe organizata me të cilën PDK-ja e ka marrë pushtetin dhe e ka ndërtuar kapjen e shtetit, pra SHIK-un. Krimi nacional shovinist i përfaqësuar nga Jabllanoviqi, i cili selinë e vërtetë e ka në Beograd prej nga u sajua lista serbe për një formacion çetnik. Dhe tre, krijimin kombëtar përfaqësuar nga Hashim Thaçi i cili e transformoi UÇK-në për ta shuar edhe TMK-në”, tha Kurti.
Me të tillë shefa, Isa Mustafa, sipas liderit të “Vetëvendosjes”, e fillon punën si kryeministër me dosjet e korrupsioneve të trashëguara nga Prishtina, por mund të mbarojë këtë punë me dosjen disa fish më të lartë të dosjeve të dyfishuara.
E sa i përket koalicionit të arritur mes LDK-së dhe PDK-së, ai tha se një gjë e tillë ka ndodhur, nga frika e Mustafës se do të hyjë në burg.
“Në nëntor marrëveshja opozitare u prish për dy gjëra. Në njërën anë lakmia egoiste për pozitën e kryeministrit që përfytyrohej si një fron mbretëror thuajse jemi monarki klasike e jo republikë parlamentare dhe në anën tjetër frika nga burgu pasi që ambasadorja amerikane përmendi dosjet e korrupsionit në Prokurori sidomos ato të qeverisjes së Isa Mustafës në Komunën e Prishtinës”, tha Kurti.
Ndërsa, sa i përket punës së Lëvizjes, Kurti tha se deri më tani ka qenë shumë e mirë por që duhet të dyfishohet, kështu duke punuar më shumë në afrimin me qytetarë në mënyrë që të arrijnë të organizojnë zemërimin, i cili është në rritje nga populli i varfër.

