Pagat për shërbyesit civilë, para festave
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimvendimin për ndarjen e 33.7 milionë euro për mbulimin e minusit të pagave për muajin dhjetor të këtij viti, në mënyrë që shërbyesit civilë t’i marrin pagat para festave.
Propozim-vendimin, sipas njoftimit për medie, e prezantoi ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili po ashtu shpjegoi se nga do të merren këto para.
“Kjo shumë do të sigurohet prej 26.5 milionë nga kontigjenca për paga në Ministrinë e Financave, kursime prej 5.2 milionë nga kontigjenca për energji dhe nga rezervat e paparashikuara merret 1.9 milionë euro. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që ky vendim të mundësojë që pagat e të gjithë shërbyesve civilë, pensionet dhe përfitimet e tjera të kryhen para festave”, tha Hoti.


