Fundamenti

Reuters: Rivalët e “përbetuar” pajtohen për të qeverisur me Kosovën

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Një ish-ministër në ekzil gjatë rebelimit të Kosovës në vitet e 1990-ta kundër sundimit serb pritet të bëhet kryeministri i ri i shtetit në një koalicion të madh të kundërshtarëve të përbetuar politikë që i dha fund pasigurisë gjashtë mujore.

Seanca parlamentare që pritet të zyrtarizojë emërimin e Isa Mustafës në postin e kryeministrit është shtyrë për të martën në orën 12:00.

Reuters shkruan se Mustafa, lider i LDK-së, do ta zëvendësojë ish-komandantin e UÇK-së, Hashim Thaçin, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e qershorit por që nuk kishte megjithatë shumicën dhe u detyrua të negocionte me LDK-në, transmeton Koha.net.

Sipas agjencisë britanike të lajmeve, dy partitë, më të mëdhatë në Kosovë, janë rivalë të fortë me një histori ndonjëherë edhe me gara vdekjeprurëse për pushtet që kur Kosova u nda nga Serbia pas luftës së viteve 1998-99 me ndihmën e sulmeve ajrore të NATO-s.

63-vjeçari Mustafa, ish-kryetar i Komunës së Prishtinës, do të merr detyrën e konsolidimit të Kosovës si shtet i pavarur, që deri më tani është njohur nga mbi 100 shtete por është bllokuar në rrugën e saj për t’u bërë shtet anëtar i OKB-së nga aleati i fortë i Serisë, Rusia.

Ai trashëgon një ekonomi që është në rritje por mbetet e varur nga remitencat nga kosovarët që punojnë jashtë vendit dhe nga asistencat e huaja.

Hidromorava

Kosova është duke u përpjekur shumë që të tërheqë investitorë të huaj të vetëdijshëm për reputacionin e krimit dhe korrupsionit në vend. Së paku një e treta e fuqisë punëtore në Kosovë është e papunë, transmeton Koha.net.

Meqenëse iu mohua edhe mandati i tretë për kryeministër, Thaçi do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit në kabinetin Mustafa, ndërsa do të merr postin e presidentit të vendit më 2016 sipas marrëveshjes së nënshkruar me Mustafën gjatë të hënës.

Mustafa ka qenë ministër në ekzil i financave në vitet e ’90-ta kur territori me shumicë shqiptare ishte ende provincë serbe dhe themeluesi i ndjerë i LDK-së, Ibrahim Rugova, udhëhoqi politikën e rezistencës pasive.

Politika e Rugovës u eklipsua përfundimisht nga ndërhyrja guerile e bashkë-udhëhequr nga Thaçi. NATO intervenoi më 1999 me një fushatë sulmesh ajrore prej 11 javësh për t’i dhënë fund vrasjes dhe dëbimit të civilëve shqiptarë nga forcat serbe që po tentonin të thyenin kryengritjen.

Periudha e pasluftës u përcoll me vrasje të shpeshta politike.

Të hënën, parlamenti i Kosovës zgjodhi zëvendëskryetarin e PDK-së së Thaçit, Kadri Veselin, si kryeparlamentar. Ish-guerili Veseli është ish-shef i SHIK-ut, një organizatë kjo sekrete e inteligjencës, krah i PDK-së, që zyrtarisht u shua kur Kosova shpalli pavarësinë.