KKVITI

Beha: Shqiptarët nga Medvegja u shpërngulën për arsye sigurie

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Medvegjë – Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Medvegjës, njëherit kryetari i degës së Partisë për Veprim Demokratik në Medvegjë, Fehmi Beha në emisionin special të Televizionit Shqiptar (TVSH) me titullin “Kosova Lindore në fokus” ka prezantuar problemet e shqiptarëve të Medvegjës.

Sipas Behës, shteti me qëllim nuk investon në vendbanimet shqiptare në Luginë të Preshevës, ndërsa nga 5.000 banorë shqiptarë sa ka pasur më parë Medvegja tani ka rreth 450. Sipas fjalëve të tij, shpërngulja më e madhe ka ndodhur pas tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova dhe vendosjes së tyre në fshatrat shqiptare në vitin 1999. “Pasiqë shqiptarët kanë parë se çfarë ka ndodhur në Kosovë, nga frika ata janë zhvendosur”, tha Beha.

Nga ngjarjet e viteve të fundit të cilat kanë ndikuar në parandalimin e shpërnguljes së mëtejme të shqiptarëve të mbetur në Medvegjë, Beha theksoi hapjen e fakulteteve si dhe ndërtimin e shtëpive për familjet skamnore nga shoqata “Ilirët” dhe “Fondi humanitar për Kosovën Lindore”.

Mobi Casa

Në emisionin në të cilin ishin prezentë Xhelal Memeti dhe Shukri Jahiu nga Fondi humanitar i Kosovës Lindore, Taulant Balla, zëdhënës i zyrës për integrime Evropiane, Belgzim Kamberi nga KMDNJ Preshevë dhe profesor Sabri Bektashi është vlerësuar lartë iniciativa e Fondit humanitar për ndërtimin e 100 shtëpive me qëllim të parandalimit të shpërnguljes.

Për fund, z. Beha tha se Medvegja nuk ka kohë për të pritur. Duhet të intervenohet menjëherë duke u bërë apel të gjitha shoqatave që të bashkohen dhe të derdhin mjetet e tyre në llogarinë e Fondit humanitar. Ai shtoi se mbi 80% të profesorëve shqiptarë në Medvegjë janë të pakualifikuar për punë me ç’rast u rekomandoi studentëve të cilët studiojnë në Shqipëri që përveç mjekësisë të përqëndrohen edhe në fusha të tjera të studimeve me qëllim të sigurimit të kuadrove dhe gjetjes së punës në vendlindjen e tyre. (mepress.info)