Hidromorava

Rektor, mos u zmbraps!

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Enis Veliu – Zakonisht jemi mësuar që politikanët kosovarë të mos i mbajnë fjalët e premtimet që ata kryesisht i japin gjatë fushatës parazgjedhore.

Por, këtë rrugë të “shtruar me asfalt”, tash po e ndjekin edhe drejtuesit e institucioneve të pavarura në vend.

Këta të fundit, që kryesisht janë njerëz me një “background” të mirë akademik, por

shpesh dalin nga vetvetja, nga lakmia për pushtet.

Në një moment këta harrojnë misionin, harrojnë gradat shkencore dhe kontributin që kanë dhënë prej dekadash në zhvillim të shtetit përmes formave të ndryshme, qofshin ato direkte apo edhe indirekte.

Krejt energjia dhe fokusi drejtohet drejt një karrige dhe një page që është e barabartë më atë të një ministri në Qeverinë e Kosovës.

Rektori aktual i Universitetit të Prishtinës (UP), Ramadan Zejnullahu, erdhi me fjalë dhe premtime të mëdha. Ai në fillim u duk si shpresë e vetme për depolitizimin dhe reformimin e Universitetit të Prishtinës.

Por, nuk kaloi shumë kohë, kur edhe ky po shkon rrugës së “atyre të tjerëve”, të cilët merrnin urdhra politike nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Arsimit.

Profesor Zejnullahu në fillim u tregua parimor dhe i pavarur, sidomos në momentin kur me këmbëngulje refuzoi t’i regjistrojë në UP pa iu nënshtruar provimit pranues më shumë se 1000 të rinj, që thuhet se janë familjarë të familjeve të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës.

Mobi Casa

Numri prej 1000 dhe emrat që figurojnë në ato regjistra, edhe më tutje vazhdon të trajtohet si çështje konfidenciale dhe e paekspozueshme për opinion.

Kështu në fakt kishte ndodhur edhe më parë, por në atë kohë rektorët e dëgjueshëm nuk kishin bërë fare zhurmë. Ata kishin regjistruar pa marrë vesh askush.

Madje, madje nuk kanë munguar reagimet publike përmes rrjeteve sociale, kur në lista të tilla janë gjetur edhe familjarë të ish-punëtorëve shqiptarë të Shërbimit Sekret Serb.

Presionet dhe kërcënimet e shoqatave të dala nga lufta janë të papranueshme, siç do të jetë edhe vendimi eventual i rektorit për të miratuar atë listë, që tashmë i ka shkuar në zyrë me nënshkrim të ministrit Buja.

Në fillim rektori u treguar i guximshëm dhe shumë parimor edhe karshi kërcënimeve që atij iu bën nga këto shoqata me protesta e forma të tjera të presionit, vetëm e vetëm për ta arritur qëllimin e tyre. Por, nuk kaloi shumë kohë kur rektori filloi t’i zbusë fjalët që la mundësinë e hapur që edhe sivjet 1000 të rinj të hyjnë në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar asnjë kriteri. Si për çudi, një numër i madh i këtyre, sipas kërkesave të shoqatave, duhet të regjistrohen në Fakultetin e Mjekësisë.

Andaj, rektorit aktual, i cili hyn në listën e pedagogëve më të mirë të UP-së i ka në dispozicion vetëm dy rrugë.

Atë që e kanë ndjekur paraardhësit e tij, duke i shërbyer më besnikëri partisë në pushtet, duke regjistruar studentë me lista, e duke nxjerrë çdo ditë doktorë shkencash analfabetë.

Dhe të dytën që mund ta marrë vetë, duke refuzuar çdo ndërhyrje nga jashtë. Kjo e fundit mund edhe t’i kushtojë me shkarkim nga pozita që mban. Por vetëm duke respektuar rregullat e ligjet e aplikueshme në vendin tonë, profesor Zejnullahu mbetet ai që ka qenë. Përndryshe, edhe ky në fund përfundon si ata të tjerët, që do të mbahen në mend si shkatërrues të Universitetit të Prishtinës.