Lenjani gjen skuadrën e re
Ermir Lenjani pritet të largohet nga Rennes. Ai pritet të rikthehet te skuadra e Nantes, ku ishte i huzuar sezonin e kaluar. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani është shumë pranë kthimit te skuadra e Nantes. Por për transferimin e kosovarit nga Rennesi te klubi ku ishte i huazuar edhe një vit më parë, duhet marrë miratimin e Sergio Conceiçao.
Ish-futbollisti i njohur portugez, i cili gjatë karrierës ka veshur edhe fanellën e Interit dhe Lacios, tashmë është trajneri i klubit të Nantesit, që në këtë sezon ka shfaqur vështirësi të mëdha dhe gjendet i përfshirë plotësisht në luftën për mbijetesë.
Lenjani është gati t’i japë një dorë për t’u ringritur si dhe për t’u rikthyer protagonist në karrierën në klub, pas injorimit të vazhdueshëm që i bëhet te Rennes, ku ai është plotësisht jashtë planeve të klubit.
Edhe presidenti i Nantës, Valdemar Kita, është dakord që futbollisti shqiptar të kthehet në këtë klub për të ndihmuar dhe për të dhënë kontributin e tij. Por fjalën e fundit do ta ketë trajneri.
Sipas mediave franceze, Conceiçao pëlqen profilin e lojtarit, i cili mund të luajë si në mbrojtje, ashtu edhe në mesfushë. Por, ai nuk ka dhënë ende përgjigje nëse Kita duhet të fillojë negociatat mein Rennes për transferimin përfundimtar të mesfushorit të kombëtares apo jo.
Lenjani ka edhe 6 muaj të mbetur në kontratën me Rennesin, klub ku ka luajtur vetëm 26 minuta me ekipin e parë në këtë kampionat, si dhe nuk shihet me sy të mirë nga tifozeria pikërisht për faktin se një vit më parë veshin fanellën e Nantës, rivales më të urryer.
Mesfushori refuzoi një ofertë nga Gingamp në verë por tani është gati të largohet nga një klub tek i cili kishte shkuar me shpresën për të bërë hapin e madh të karrierës, por që rezultoi një zgjedhje krejtësisht e gabuar.


