Imzot Dodë Gjergji: ”Disa spitale janë bërë punishte vdekjeje, doktorët vrasës serial”
Përgjegjësia e shtetit është që të shpërndajë të mirat në mënyrë të barabartë, në mënyrë që askush të mos vuajë nga uria apo etja”, ka thënë Ipeshkvi i Kosovës. Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, mbrëmë në mesnatë është mbajtur Mesha solemne e Krishtlindjeve, të cilën e udhëhoqi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili theksoi se disa spitale janë bërë punishte vdekjeje dhe doktorët janë bërë vrasës serial.
Imzot Dodë Gjergji tha se të krishterët pas 4 javë përgatitjeje, kanë ardhur së bashku në Kishën e së Shenjtës “Nënë Terezë” për të kremtuar së bashku Festën e Kërshëndellave.
“Ne i bashkohemi këndës së engjëjve, në këndimin e kësaj këngë gëzimi dhe lavdie. Na bashkëngjiten sonte shumë njerëz që nuk janë pagëzuar, por e duan paqen në tokë dhe dashurinë mes njerëzve”, tha Dodë Gjergji dhe shtoi se “në këtë natë kaq të shenjtë, në të cilin hyji i na ka krijuar nga dheu dhe na ka dhënë jetën, na përcjell që nga lindja e nënës e deri tek gropa”.
Gjergji në vazhdim të fjalës meshtare tha se disa spitale janë bërë punishte vdekjeje dhe doktorët janë bërë vrasës serial.
“Kisha në këtë natë të shenjtë, i ofron njeriut Krishtin dhe i ofron të gjitha grave pastërtinë e Marisë dhe shembullin e dashurisë amnore të Betlehemit. Përgjegjësia e shtetit është që të shpërndajë të mirat në mënyrë të barabartë, në mënyrë që askush të mos vuajë nga uria apo etja”, tha Ipeshkvi i Kosovës.
Po ashtu Ipeshkvi i Kosovës uroi që institucionet ndërkombëtare dhe të vendit, t’i ndihmojë Zoti që të vejnë interesat e përbashkëta para çdo interesi tjetër.
Para fillimit të Meshës u shfaqë një koncert i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës, ku u kënduan këngë dhe u recituan vargje.
Kurse nga ora 18:00 është organizuar pritja solemne në Ipeshkvinë e Kosovës, ku krye ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji kërkoi që të gjejmë dashurinë dhe guximin për të ecur drejt të ardhmes.

