UBT

Me Isa Mustafën

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Nga Berat Buzhala – PDK nuk e ka vrarë as Enver Malokun, as Xhemajl Mustafën, as Tahir Zemajn, e as Smajl Hajdarajn. Ata zyrtarë të LDK’së që sot e drejtojnë gishtin në drejtim të PDK’së, për këto krime, janë thjeshte ca zuzarë që nuk guxojnë ta drejtojnë gishtin kah personat e duhur. PDK ka kryer vrasje tjera: e ka vrarë arsimin, shëndetësinë….

Dhe befasisht, për të fituar ca poenë të lirë dhe të ndytë politikë, po dalin në sipërfaqe zëra malicioz nga Lidhja Demokratike e Kosovës, se gjoja koalicioni me PDK’në, i LDK’së, qenka një lloj justifikimi i vrasjeve të shumë personave të njohur të LDK’së, gjatë luftës dhe pas luftës.

Kjo nuk është asgjë tjetër pos një tendencë qyqare për ta goditur marrëveshjen, në mënyre jokonvencionale, se gjoja PDK i paska vrarë figurat e LDK’së.

Më lejoni të ju dëshpëroj, duke mos qenë militant i asnjë prej subjekteve politike – madje kritik ndaj PDK’së – se nëse flasim për persona të dyshuar për vrasjen e zyrtareve të LDK’së, atëherë ata persona gjenden, aktualisht në subjekte të tjera politike. Nuk po them se edhe në PDK nuk mund të ketë të tillë, siç mund të ketë kriminelë edhe në LDK, por unë jam i bindur, duke qenë njohës bukur i mirë i luftës dhe pasluftës, se ata që e kanë vrarë më së shumti LDK’në, janë më së paku në PDK.

Problemi është se tash PDK, duke qenë një kohë të gjatë në pushtet, është shndërruar në një target më të lehtë për të qenë e sulmuar, qoftë edhe me akuza për vrasje politike.

Mobi Casa

Dhe problemi kryesor është se ata që po e sulmojnë PDK’në, historikisht kanë treguar mungesë totale të guximit për ta drejtuar gishtin në drejtim të përgjegjësve kryesorë. Meqë nuk jam pjesë e këtij konspiracioni, atëherë as unë nuk po e drejtoj gishtin. Sepse tek e fundit kanë kaluar 15 vite.

Problemi më i madh i PDK’së nuk është se në zanafillën e saj paska mundur të jetë e angazhuar në vrasje politike, por se në vitet e fundit ka treguar një papërgjegjësi totale në qeverisje. Ky është krimi kryesor i PDK’së, me te cilin askush nuk merret.

PDK e ka vrarë arsimin, e jo Xhemajl Mustafen. PDK e ka vrarë shëndetësinë, e jo Tahir Zemajn. PDK e ka vrarë drejtësinë, e jo Enver Malokun. Etj. etj.

Dhe nëse Isa Mustafa konsideron se ka plan dhe ka njerëz që mund të vendosin një standard të ri në këta sektorë, atëherë ai duhet te vazhdojë agjendën e tij në mënyrë të qetë, pa kurrfarë brejtje të ndërgjegjes. Sepse tek e fundit, kur Isa Mustafa i ka njohur personalisht edhe Hashim Thaçin, e edhe Kadri Veselin, ata që sot flasin për këto dy figura të PDK’së kanë qenë duke notuar në ujera krejt tjera – kryesisht në ujërat e tyre nëpër pelena.