ARKATANA

Shqipëria Natyrale në vitin 2025

/ 9 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Faton Krasniqi – Pas shumë luftërave për liri e pavarësi, pas shumë vuajtjeve, vrasjeve, përndjekjeve, dhunimeve, spastrimeve etnike shqiptarët të ndarë në shumë shtete ballkanike u bashkuan në vitin 2025. Të gjithë shqiptarët u bashkuan në një shtet të vetëm. Kosova iu bashkua Shqipërisë Natyrale në vitin 2019, Lugina e Preshevës në vitin 2020, Ilirida në vitin 2022, Malësia në vitin 2023 (shqiptarët e Malit të Zi), Çamëria në vitin 2025.

Vështirësi për bashkim kishte nga më të ndryshmet si personale, shoqërore, por edhe nga më banalet nga vet shqiptarët. Bashkimi kombëtar u bë me marrëveshje me shtetet fqinje, si me: Greqinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, që nuk hezituan fare për t`i lënë të lirë shqiptarët, për të vendosur për fatin e tyre dhe territoret tyre, por, gjithsesi me përkrahjen e OKB-së dhe BE-së. Bashkimi kombëtar ndër shqiptarë u bë me peticion, që ishte për dhe kundër bashkimit kombëtar. 97% E shqiptarëve kishin vendosur t`i thonë po bashkimit kombëtar. Kryeqyteti i gjithë shqiptarëve u vendos të jetë Prizreni, edhe pse pati propozime që kryeqytete të jenë: Ulqini, Çairi, Rrogozhina, Medvegja, Podujeva, Lazarati etj.

Një shqiptar nga Bujanoci ishte kundër bashkimit kombëtar për arsye se ai punonte si pastrues në komunën e Vranjës, dhe mendonte se po të bashkohemi në një shtet ai do ta humb vendin e punës si pastrues në komunën e Vranjës (pasi Vranja do të mbetej me Serbinë).

Një shqiptar nga Kërçova ishte kundër bashkimit kombëtar, ai punonte si mbledhës kanaçesh, dhe mendonte se po të bashkohemi ne shqiptarët në një shtet, për të nuk do të ketë shumë punë, nuk do të mund të mbledh shumë kanaçe, pasi sipas tij maqedonasit pinë më shumë se ne.

Një shqiptar nga Ulqini ishte kundër bashkimit kombëtar, ai mendonte se po të bashkohemi në një shtet shqiptar, peshkatarët ilegalë të Durrësit do t`ua zinin peshqit në territoret e tyre tradicionale në Adriatik. Një shqiptar nga Konica (Çamëria) ishte kundër bashkimit kombëtar, me arsyetimin se në: tokat, shtëpitë, malet, krojet, luadhet dhe pronat e tij, do të vërshonin dhe do t`ia merrnin tropojanët dhe mirditorët. Por, me gjithë vështirësitë shqiptarët u bashkuan në një shtet të vetëm më 28 nëntor 2025.

Shtatë ditë e shtatë netë nuk u ndal tupani, surla, kënga e vallja, diku-diku e festuan me muzikë shund, kiç, diku me tallave, diku me hip-hop, tekno, rnb diku pati edhe koncerte folklorike e filharmonike. Në gjithë këtë festë “alla shqiptarçe” u pi me tonelata verë e raki, rrugët u mbuluan me ëmbëlsirën e bashkimit kombëtar, ku u derdhën miliona litra lëngjesh të dalura afati qysh vite më parë. Në gjithë këtë festë të bashkimit kombëtar pati edhe vëllavrasje pa dashje apo me dashje ndër shqiptarë. Gjatë festës shtatë ditore për bashkimin kombëtar në një lokale nate në Tiranë, një tiranas i dehur vrau katër shqiptarë, të vrarët ishin, njëri nga Dibra, tjetri nga Klina, njëri nga Plava, tjetri nga Prishtina.

Në këtë festë euforike një pejan duke u ngutur për të festuar për në Laç, në rrugën e kombit me shpejtësi 220 kmh aksidentoi për vdekje një hotjan, një lipjanas, një lezhjan dhe një zajazas.
Në festën tonë valonte gjithandej flamuri kuq e zi, ai i Kosovës kishte mbetur vetëm si një relikt i të kaluarës sonë pa lavdi.

Pas disa ditësh duhej funksionalizuar shtetin natyral shqiptar, Federatat Sportive nuk donin një ligë të vetme futbolli; K.F.”Tirana”, nuk pranonte të luante në një ligë futbollistike me K.F.”Shkëndijën” e Tetovës dhe K.F.”Prishtinën” e Prishtinës pasi rrezikonte fitimin e titujve kampion.

Në vitin 2026 Fadil Vokrri kandidoi për kryetrajner i kombëtarës sonë, por ai u kundërshtua ashpër nga Sokol Kushta që nuk deshi t`ia di për këtë gjë, ai tha jo dhe jo pikë…
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë nuk pranuan që t`iu ligjërojë një profesor gjakovar, pasi thanë që ka blerë një diplomë profesor doktori diku në Bulgari, Mumbai apo Dubai.
Drejtor i Bibliotekës i Shqipërisë Natyrale u bë një llapjan, po sa morën vesh disa vlonjatë, thanë se po u bë llapjani drejtor biblioteke ne do të djegim çdo fletore, çdo libër që kemi në shtëpi, të tjerat do t`i hedhim në Otranto që mos të shohim më libra me sy.

Në vitin 2026 kryeprokuror shteti u bë një preshevar, tetovarët protestuan vrullshëm, dhe thanë po u bë preshevari kryeprokuror shteti, ne asnjë lloj ligji nuk respektojmë më, vetëm sa do të shkelim me dy këmbë në të. Ku ta dish smirë, inat apo zili…
Avokat i popullit u bë një gucias, por gjirokstritët u hidhëruan shumë me të, dhe thanë jo malokëve në Qeveri.

Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve u bë një shkupjan, por disa intelektualë shkodranë nuk u pajtuan dhe protestuan për këtë gjë, ata thanë se ne të parët themeluam akademi dhe se kjo na takon që ne të udhëheqim me të.

Kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë u zgjodh një peqinas, por skenderajasit i thanë kurrën e kurrës jo, ne do ta drejtojmë këtë shoqatë, pasi ne kemi më shumë të burgosur se sa ju.

Gjeneral ushtrie u bë një kumanovar, por sarandjotët s`e pranuan kurrënjë, ata thanë mos vendosni gjeneral ushtrie një hiçgjë, që s`mer vesh nga kjo fushë, e aq më pak ta drejtojë një superushtri si kjo që kemi ne.

Sa probleme patën në ato vite, p.sh: deçanasit nuk i hanin patatet e Kukësit, therandasit nuk pinin verën ersekase, laçianët nuk e pinin rakinë rahovecase, korçarët nuk i dëgjonin këngët e bilbilave të Mushtishtit, lezhjanët nuk e hanin misrin e Pejës, mitrovicasit nuk e pinin ujin e Tepelenës, fierakët nuk e hanin fasulen klinase, lushnjarët bojkotonin domatet gjilanase etj.

Më vonë në vitin 2027 u mbajtën zgjedhjet mbarëkombëtare ku kishim 1444 parti.

Mobi Casa

Asnjë nga këto 1444 parti nuk pranonte të shuhej, të shkrihej në ndonjë tjetër, të gjitha premtonin dhe pretendonin fitore madhështore historike si kurrënjëherë më parë.

Partitë politike shqiptare në Iliridë këshilloheshin me partitë maqedonase, dhe mësonin se si të vidhnin vota e të dilnin të para në zgjedhjet mbarëkombëtare, për herë të parë të mbajtura në Shqipërinë Natyrale.

Partitë politike në Kosovë ishin thyer e përçarë, bile-bile disa politikanë thoshin më mirë të mos ishim ndarë nga Serbia se tash pushtetin do të na marrin shqiptarët nga Shqipëria.
Partitë politike nga Shqipëria në zgjedhjet e vitit 2027 kishin filluar të manipulojnë me masën në: Drenicë, Dukagjin, Llap, Gallap, Anamoravë, Shalë e Karadak, kinse ato ishin që ua mundësuan bashkimin kombëtar.

Ato të Malësisë prisnin se kush do ta marrë pushtetin dhe ashtu përvjedhtas të futeshin në Qeveri.

Partitë politike nga Lugina e Preshevës, kishin marrë vendim që mos të dalin fare në zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 pasi shteti natyral shqiptar nuk iu siguroi rrymë 24 orë, aty kishte vite që reduktimet e rrymës ishin 4 me 2.

Partitë politike nga Çamëria thanë ne s`dimë gjë, ama nga gjithsej 32 ministri sa ka kjo Qeveri, ne kërkojmë 12 ministri që të udhëheqim me to, dhe t`ju tregojmë se si punojmë për vendin ne.

Zgjedhjet përfunduan, por ngërçi politik sapo kishte filluar edhe atje, i mësuan partitë politike shqiptare të Kosovës në vitin 2014.

Fituese në zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 dolën partitë politike nga Shqipëria, ndërsa Qeverinë shqiptare dëshironin ta udhëhiqnin partitë e dyta dhe të treta, e që ishin partitë politike nga Kosova dhe Ilirida. Ngërçi politika në shtetin e Shqipërisë Natyrale zgjati me muaj, asnjëra palë nuk lëshonte “pe” , asnjëra palë nuk ‘hante” llaf, sa për Shqipërinë Natyrale nuk donin t`ia dinin fare.

Por, në vitin 2028 u zgjodh ngërçi politik dhe Qeveria e parë Shqipërisë Natyrale, falë ndërhyrjes së shteteve mike tona, si të: Ishujve Faroe, Maltës, Katalonisë, Gjiblartarit që zgjodhën ngërçin politik të vitit 2027/8.

Kryetar i Republikës së Shqipërisë Natyrale u zgjodh Prof. Dr. Dhimitër Dhimitri nga Krahina e Çamërisë,
Kryeministër i Republikës së Shqipërisë Natyrale u zgjodh Prof. Dr. Xhafer Xhaviti nga qyteti i Medvegjës i Krahinës së Luginës së Preshevës,

Kryeparlamentar Republikës së Shqipërisë Natyrale u zgjodh Prof. Dr. Nikollë Nikolla nga Malësia (ish Mali i Zi).

Në vitin 2028 gegnishtja u bë gjuhë zyrtare e Republikës së Shqipërisë Natyrale, edhe pse pati shumë kundërshti e protesta në kryeqytetin e Shqipërisë Natyrale në Prizren afër Lumëbardhit.

Në Vitin 2028 z. Hashim Thaçi shkroi librin e parë të tij me titull: “Këmbët e Arushës”.

Po në këtë viti znj. Atifte Jahjaga mbajti ligjëratën e parë ndërkombëtare në Kalimash me titull: “Llaqet shumëngjyrëshe për thonj”.

Kurse në vitin 2026 Shqipëria Natyrale kishte fituar titullin “Kampion Bote 2026”, me kryetrajner Afrim Tovërlanin dhe ndihmësin e tij Bylbyl Sokolin.