Privatësia, në mëshirën e “Shigjetave”
Nga Naser Sertolli – Ju ka ndodhur, me siguri, në ndonjë moment, të jeni ndjerë sikur dikush ju është vënë pas, ose se dikush po i fut hundët nga matanë gardhit në jetën tuaj të përditshme. Por, si njerëz normalë, të lirë në veprimet tuaja, keni besuar se përditshmëria juaj, intimiteti, nuk mund, nuk guxon dhe nuk do të duhej të cenohej nga askush. Këtu keni bërë gabim dhe e keni mashtruar veten. Sepse, po del që për dyshimet tuaja edhe mund të keni pasur të drejtë.
Kjo për faktin se ka njerëz për të cilët privatësia juaj është çështje relative. Pra, se nuk është vetëm e juaja. Ose, të paktën, kështu konsideron një soj tipi, i cili përzierjen në intimitetin e tjetërkujt e ka bërë “profesion”, nga i cili po përfituaka dengje parash. “Leja nga Bajram begu” është baza ligjore mbi të cilën ushtron zanatin.
Besoj të mos ju ketë kaluar pa lexuar një hulumtim i gazetës, i cili tregonte për ekzistimin e një biçimi njerëzish, të cilët, pa kurrfarë të drejte dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi, përcjellin, fotografojnë e incizojnë persona të ndryshëm. Njëri prej këtyre të vetëquajturve detektivë ka treguar se klientë të tij qenkan kryesisht femrat, të cilat po dyshuakan në tradhtinë bashkëshortore të burrave të tyre.
Tipi, i prezantuar si Fisnik “Shigjeta”, është “zgjidhur”, duke treguar gjithçka për “profesionalizmin” dhe klientelën e tij (gra kryesisht të biznesmenëve), sapo ka dëgjuar zërin e koleges, e cila i është paraqitur si një e interesuar për ta përcjellë bashkëshortin e saj të shpikur. Po të insistonte pak kolegia, e paraqitur me emrin “Vjollca”, pa asnjë fije dyshimi, “Shigjeta” do ta jepte edhe emrin e ndonjërës prej klienteve apo personave të vënë në shënjestër vetëm për ta bindur se nuk është e para në veprimtarinë e tij. Se sa profesionist është e dëshmon biseda telefonike. Ndonëse është kontakti i parë, “Shigjeta” i hap “letrat”. Flet me mburrje për punën e tij. Thotë se ka përvojë dhe se ka shumë raste të realizuara me sukses. Tregon se paska shkollim adekuat për këtë zanat dhe se, demek, qenka i licencuar. Ani pse në vendin tonë nuk ka ligj për detektivët privatë. Thjesht, kështu ai e dëshmon “profesionalizmin” e tij dhe pjesës tjetër të ekipit të “Shigjetave”.
Pse ndodhin këso anomalish në shoqërinë tonë fajin, dorën në zemër, nuk e kanë tipat si Fisnik “Shigjeta”. Pse edhe këta të mos e shfrytëzojnë situatën në të cilën është katandisur vendi. Pse të mos imponohen dhe të përpiqen ta bëjnë të ligjshëm zanatin e tyre, i cili, u kuptuam se është krejtësisht ilegal.
Dhe, sidomos, pse të mos e shkel ligjin “Shigjeta” me shokë me veprimtarinë e tyre, duke u marrë dhe duke dhunuar privatësinë e qytetarëve, kur këtë e bëjnë edhe njerëzit që janë të thirrur ta mbrojnë atë. Ju kujtohet ai rasti që para pak ditësh u bë publik në media. Ai i atij burrit fatkeq, i cili me pak mund dhe pak ryshfet, kishte arritur të sigurojë nga njerëz të gjykatës transkriptin e mesazheve telefonike të bashkëshortes së tij, të cilën e kishte akuzuar se e kishte tradhtuar me dikë tjetër. Merreni me mend, qytetari me lehtësinë më të madhe ka arritur ta nxjerrë nga gjykata transkriptin, i cili ishte i destinuar vetëm dhe vetëm për nevojat e gjykatës.
Këto raste janë dëshmi se qytetarët tanë nuk janë të lirë ta bëjnë jetën ashtu si duan dhe mendojnë. Se për intimitetin e tyre mund të dijë kush të dëshirojë. Se mund të shantazhohen nga turli tipi. Po ashtu, qytetarët mësuan se edhe organi që duhet t’i mbrojë – gjykata, mund t’i marrë në qafë. Në këto kushte, mirë e “shlirë” duhet të jenë vetëm ata të cilëve nuk ua ka pirë sorra mendtë ndonjë ditë. E mjerë ata që, të rraskapitur nga puna e mundimshme, e kanë bërë shprehi të ndalen aty ku “pushimi kushton veç 5 euro”.


