ARKATANA

Avdijaj, thesari i Kosovës

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Donis Avdijaj është njëri prej lojtarëve më shpresëdhënës për Përfaqësuesen e Kosovës.

Sulmuesi 20-vjeçar para pak kohësh vendosi që t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës, së cilës i është bashkuar për herë të parë në Antalya në ndeshjen eliminatore për Botërorin “Rusia 2018” kundër Turqisë, por që nuk kishte të drejtë loje shkaku i mungesës së dokumentacionit të kompletuar. Mirëpo, shërbimet e tij shumë shpejt do t’i ketë në dispozicion përzgjedhësi kosovar, Albert Bunjaki, shkruan sot gazeta Zëri

Dhe me Avdijajn Kosova do të jetë më e fortë dhe më e vlefshme, pasi bëhet fjalë për një klasë të nivelit të lartë të këtij futbollisti që ka lindur në Gjermani. Këtë më së miri e konfirmon paraqitja e shkëlqyeshme e futbollistit të Schalkes në ndeshjen e së martës në Bundesligën gjermane që skuadra e tij e zhvilloi si mysafir i Hamburgut.

FIDANISHTJA

Schalke humbi me rezultat 2:1, ndërsa Avdijaj e realizoi golin e vetëm për skuadrën e tij në minutën e 90-të. “E vetmja gjë pozitive te Schalke përballë Hamburgut ishte Donis Avdijaj, i cili realizoi gol të bukur”, shkruanin mediet gjermane.

Avdijaj u inkuadrua në lojë vetëm në minutën e 69-të, ndërsa ky ishte goli i parë i tij në Bundesligë ku u kthye nga Strum Graz, i cili ishte i huazuar nga Schalke. Normalisht se paraqitja e mirë e tij përballë Hamburgut i jep shpresë futbollistit për të zënë vend në formacionin kryesor. Një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe trajneri i tij, Markus Weinzierl, duke thurur lëvdate për yllin e ri kosovar. “Avdijaj e kreu punën e tij në mënyrën e duhur. Ne kemi shpresa tek ai. Avdijaj mund të shënojë progres të mëtutjeshëm sepse ishte i lënduar dhe ushtronte me frikë dhe rezerva”, ka theksuar Weinzierl.

Sigurisht se edhe vetë Avdijaj e dëshiron një vend në formacionin kryesor të Schalkes, e cila kur pati nënshkruar kontratë me të kishte vënë klauzolë prej 50 milionë eurosh dëmshpërblim në rast se ndonjë klub dëshiron ta blejë kartonin e tij, gjë që kishte bërë jehonë të madhe në Evropë. Avdijaj me skuadrën e tij ka shkuar në pushim për festat e fundvitit me shpresën që pjesën e mbetur të kampionatit ta vazhdojë me gola dhe me fitore të Schalkes. “Kjo ishte ndeshja e fundit para pushimit dimëror. Por fatkeqësisht nuk arritëm ta marrim një pikë që vërtet e merituam. Ne do të punojmë shumë që të kthehemi edhe më të fortë”, ka theksuar Avdijaj.