Nasuf Nuhiu, me mision humanitar në Shid të Kroacisë
Nasuf Nuhiu, nga Stublla e Ultë e komunës së Vitisë, pati migruar në Gjenevë të Zvicrës, gjatë viteve të nëntëdhjeta.Ai aktualisht kryen funksionin e sekretarit sindikal në organizatën” UNIA” të Gjenevës.
Nuhiu nga bashkëkombësit e tij njihet edhe si aktivist i dalluar sportiv. Ai kohën e lirë e kalon duke ndarë drejtësi në fushat e futbollit të Ligës së tretë rajonale të kantonit të Gjenevës.
Veçkësaj jep ndihmën e tij edhe në Komunitetin Shqiptar të Gjenevës, ku dy mandate radhas është zgjedhur anëtarë i kryesisë së kësaj Shoqate, jofitimprurëse dhe apolitike.
Kontribut të vlefshëm Nuhiu, ofron edhe në mbarëvajtjen e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe, duke qenë prej vitesh anëtarë i LAPSH –it të Gjenevës.
Mirëpo një tipar që atë e dallon nga të tjerët është bamirësia. Ai çdoherë mundohet t’u dalë në ndihmë njerëzve me nevoja të veçanta.
Disaherë Nuhiu nëpërmjet organizimeve sportive ka ndihmuar familjet skamnore të Anamoravës.
Ndihma e tij nuk ngelet vetëm në suaza lagjeje e regjioni ajo depërton tek të gjithë njerëzit me probleme ekonomike e shëndetësore.
Nuhiu, duke qenë dikur edhe vetë pjesë e eksodit të dhimbshëm shqiptar në kampet e Bllacës së Maqedonisë, vendos që gjatë këtyre ditëve të ftohta dimri t’u ofrojë dorën e ndihmës fëmijëve të ikur nga Siria, të cilët janë viktima të pafajshme të kësaj lufte të përgjakshme dhe të pakuptimtë.
Ai nëpërmjet organizatës ndërkombëtare “Remar Sos”, që aktivitet të vetëm ka humanitetin tash sa ditë po ndihmon fëmijët e vendosur sirianë në kampet e qytetit Shid të Kroacisë, të cilët më pas do të sistemohen në vendet e Evropës Perëndimore.
Nuhiu po bënë përpjekje maksimale që këtyre fëmijëve të traumatizuar e në ankth t’u vijë në ndihmë në çdo formë të mundshme.
Rrëfimet e këtyre fëmijëve janë të lojllojshme dhe rrëqethëse. Ata nëpërmjet dhimbjes dhe vuajtjeve të rënda shpirtërore rrëfejnë vrasjet e prindërve, vëllezërve, motrave dhe të të afërmve të tyre.
Në këtë fazë jashtëzakonisht prekëse shqetësimet e thella emocionale të këtyre fëmijëve me tundim të rëndë të personalitetit presin dorën e ndihmës nga të gjithë ne thotë Nuhiu, i cili deri në mesin e muajit të ardhshëm do të jetë pranë këtyre fëmijëve viktimë e sulmeve të palëve ndërluftuese të cilat Sirinë, dikur çerdhe të kulturës dhe të antikitetit e hodhën në greminë./arif ejupi/albinfo/


