Rrezik për eskalim
Në sheshet “Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova”, sot pritet të protestohet dhe të festohet njëkohësisht. Dy blloqet politike janë duke i bërë ftesë mbështetësve të tyre të zënë sheshin në qendër të Prishtinës. Opozita ka vendosur tash e tri ditë tendat ku po qëndron ditë e natë, në kundërshtim të Qeverisë dhe zgjedhjes së Hashim Thaçit president. Të enjten opozita ka dërguar me të madhe SMS qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkuar protestës. Ndërkohë simpatizantë të PDK-së kanë paralajmëruar festë para Kuvendit të Kosovës me rastin e zgjedhjes së Thaçit në postin e presidentit.
Por pavarësisht thirrjeve për të mos festuar në Prishtinë, por në komunat e Kosovës, dega e PDK-së në Mitrovicë ka vendosur që të festojë në sheshet e Prishtinës zgjedhjen e Hashim Thaçit president. Një vendim të tillë, PDK-ja në këtë qytet e ka marrë pas takimit me strukturat drejtuese. “Në takim u diskutua për situatën në të cilën gjendet vendi ynë dhe u dha mbështetje e fuqishme për kryetarin e Partisë z. Hashim Thaçi që të zgjidhet president i vendit. Pasi që seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet të premten me datë 26.02.2016 në orën 11:00, strukturat e degës vendosën që të festojnë së bashku në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e PDK-së së Mitrovicës. Mbështetje festimeve në Prishtinë u ka dhënë edhe dega e PDK-së në Skenderaj, ndonëse ata nuk janë organizatorë të festimeve, por kjo po bëhet me vetiniciativën e qytetarëve.
“Njoftojmë opinionin publik se dega e PDK-së në Skenderaj nuk është organizatore e festimeve me rastin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, mirëpo elektorati i PDK-së në Skenderaj ka shfaqur interesim të madh për të festuar spontanisht, me këtë rast ne mbështesim këtë iniciativë”, thuhet në komunikatën e degës së PDK-së, të cilët u kanë bërë thirrje simpatizantëve dhe qytetarëve të Skenderajt që festimet t’i bëjnë në mënyrë dinjitoze. Thirrje për të festuar në Prishtinë, ditë më parë kishte bërë edhe kryetari i OVL të UÇK-së dega në Skenderaj, Hysni Gucati, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”./zeri/


