Marrëveshja me organizatën “HELP”, po sjell grante mbështetëse për bizneset dhe vende të reja pune
Gjilan – Në Komunën e Gjilanit sot është mbajtur sesioni informues për grantet që do të ndahen nga organizata “HELP”, organizatë kjo e cila ka të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Komunën, në mënyrë që bashkërisht të mbështesin sektorin e biznesit në Gjilan, mesatarisht me grante prej 2 mijë euro.
Me këtë rast drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Agim Zuzaku, ka thënë në këtë takim se kjo është një skemë mbështetëse për qëndrueshmëri të bizneseve ekzistuese, nxitjen e krijimit të bizneseve të reja dhe krijim të vendeve të reja të punës, që është mëse e domosdoshme për qytetarët e Komunës së Gjilanit.
“HELP”, sot po bënë prezantimin e formave të mbështetjes, respektivisht informatat themelore mbi ndarjen e granteve, por edhe përparësitë e mbështetjes së bizneseve. Vitin e kaluar kemi nënshkruar një Marrëveshje të Bashkëpunimit në mes të Komunës se Gjilanit dhe organizatës “Help” në kuadër të projektit “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik përmes fuqizimit të sektorit të mikro biznesit në Kosovë”, që financohet nga qeveria Gjermane dhe implementohet nga organizata “Help”. Në kuadër të projektit të paktën 40 biznese do të mbështeten në synimet e tyre për të filluar ose zhvillimin e bizneset. Vlera e përgjithshme e projektit për Gjilanin arrin në 121.055.00 euro. Komuna e Gjilanit kontribuon në shumën prej 16,000 Euro. Poashtu participues do të jenë edhe bizneset në një vlerë minimale. Sektori privat luan rol në rritje në çdo ekonomi kombëtare dhe kontribuon në punësim, rritje ekonomike dhe kultivim të sistemit të tregut. Andaj duke e ditur rëndësinë e madhe Komuna e Gjilanit është e angazhuar gjithnjë në mbështetje të këtij sektori dhe krijim të kushteve dhe klimës së mirë për biznes”, ka thënë drejtori Zuzaku, duke shtuar se bashkëpunimi me “HELP”, do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik është në shërbim të bizneseve dhe do të jetë e angazhuar drejtpërdrejtë në mbështetje të bizneseve dhe zhvillimit të tyre, sepse me zhvillim ekonomik do të ketë edhe zhvillim të Komunës dhe punësimit, që është domosdoshmëri.
Afati i fundit për aplikim për grante do të jetë data 31 mars 2016, ndërsa përfitues do të jenë minimumi 40 biznese thonë zyrtarët komunal. /rajonipress/

