Kuvendi komunal i Vitisë shpall zona me interes të përgjithshëm
Viti – Kuvendi ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për leje mjedisore komunale, sikur edhe vendimin për shpalljen zonë me interes të përgjithshëm të parcelave në zonat kadastrale në Viti dhe Sadovinë të Jerlive, të cilat prona janë të menaxhuara nga AKP.
Është mbajtur sot seanca e II-të e Kuvendit Komunal të Vitisë, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës. Fillimisht këshilltarët kanë paraqitur kërkesa dhe pyetje për udhëheqësit komunal, ndërkohë që si temë që u diskutua më së shumti ishte ajo e organizimit të manifestimit për nderë të 7 Marsit-Ditës së mësuesit, me që rast është paraparë të bëhet një organizim i përbashkët mes Drejtorisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimit.
Në seancën e sotme është diskutuar për pasqyrat financiare të buxhetit komunal për periudhën janar – dhjetor 2015, që i prezantoi drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Ibrahim Rama, i cili edhe njoftoi më hollësisht për shpenzimet gjatë vitit 2015, duke i krahasuar ato me vitin paraprak.
Kuvendi ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për leje mjedisore komunale, sikur edhe vendimin për shpalljen zonë me interes të përgjithshëm të parcelave në zonat kadastrale në Viti dhe Sadovinë të Jerlive, të cilat prona janë të menaxhuara nga AKP.
Për këtë pikë, këshilltarët e të gjitha subjekteve të përfaqësuara në Kuvend e përkrahën njëzëri, ndërkohë që seanca vazhdoi edhe me dy informata që kishin të bënin për procesin e legalizimit të objekteve që e prezantoi drejtori për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit Ajet Sallahu, si dhe informata tjetër mbi mirëmbajtjen e rrugëve në sezonin dimërore që e paraqiti drejtori i Shërbimeve Publike Nexhmedin Jakupi./rajonipress/


