FIDANISHTJA

Shkatërruesit e shtetit

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Enis Veliu – Konflikti mes pozitës dhe opozitës që po manifestohet me bllokim të punëve në Kuvendin e Kosovës, po dëmton rëndë imazhin, edhe ashtu të brishtë të shtetit tonë.

Inatet politike për interesa personale të liderëve politikë po shkatërrojnë përfundimisht shtetin e krijuar gati dy dekada më parë. Te dyja palët kanë hequr dorë nga dialogu dhe po përdorin forma radiale për të mbrojtur qëndrimet e tyre. Blloku opozitar me çdo kusht po tenton ta rrëzojë Qeverinë aktuale. Ndërkaq, koalicioni qeverisës vazhdon të injorojë kërkesat e tyre. Të parët (blloku opozitar) kanë zgjedhur gazin lotsjellës si mjet të fundit për bllokimin e punimeve brenda sallës së seancave të Kuvendit të Kosovës.

Ndër të dytët (koalicioni qeverisës) kanë zgjedhur përdorimin e forcës, duke nxjerrë deputetët me dhunë nga salla e Kuvendit, si mundësi e vetme për të vazhduar punimet. Pamjet e shfaqura të premten në media të fuqishme ndërkombëtare, të konfliktit brenda Kuvendit të Kosovës, tregojnë përfundimisht se të dyja palët si pozita dhe opozita kanë lënë anash interesin e shtetit dhe janë dhënë pas interesit personal.

Opozita me çdo kusht po tenton të vijë në pushtet. Ndërkaq, pozita me çdo kusht po tenton ta mbajë pushtetin. Problemet e shfaqura në Kuvend po e dëmtojnë shtetin, pasi që Kosova po humb përkrahjen e shteteve të fuqishme që kanë kontribuar në ndërtimin e shtetit tonë. E në aspektin ekonomik me veprimet e fundit institucionet e vendit po tregojnë qartë se nuk janë të gatshme që të krijojnë stabilitet të mjaftueshëm sidomos kur bëhet fjalë për kompani të fuqishme ndërkombëtare që dëshirojnë të investojnë në shtetin tonë. Liderët politikë në vend përfundimisht duhet të merren vesh mes vete dhe të heqin dorë nga dhuna, pasi që pasojat nga veprimet e pamatura të tyre, po i vuajnë qytetarët e pafajshëm të shtetit tonë.

Mobi Casa

Asnjë investitor i huaj nuk vjen për të investuar në vendin tonë, kur sheh skena të tilla në institucionin më të lartë të vendit. Si duket opozita dhe pozita kanë harruar se shteti ka shpenzuar shuma të mëdha parash për rregullimin e imazhit nëpër media të fuqishme ndërkombëtare.

Por, tash disa vite më vonë këta po përmbysin gjithçka që është ndërtuar deri më tash. Situata në vend edhe më tutje vazhdon të jetë e rëndë, e sidomos në aspektin ekonomik ku shteti ynë çdo ditë e më shumë po ka mungesë të investitorëve seriozë, të cilët dëshirojnë që kapitalin e tyre ta investojnë në vendin tonë. Ka të tillë (investitorë) që kanë ardhur në vendin tonë, por më pas kanë ikur në vendet prej nga kanë ardhur. Situata e tensionuar në Kuvendin e Kosovës i dha edhe një goditje të rëndë shtetit më të ri në Evropë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik. Asnjë investitor serioz nuk investon në vendin tonë ku situata mund të ndryshojë brenda ditës, varësisht prej tekeve të një grupi të caktuar, qoftë të Qeverisë, deputetëve, apo edhe të një grupi të pakënaqur të qytetarëve.

Andaj përfundimisht liderët politikë në vend duhet të lënë anash interesat e tyre personale dhe duhet të kontribuojnë së bashku në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.