Karaqeva e Zahiraj mbesin probleme serioze e të hapura për Anamoravën
Gjilan – Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaqevë thotë se institucionet qendrore duhet të turpërohen para situatave delikate në vijën kufitare me Serbinë. Edhe Rexhep Tahiri nga Zahiraj i cili tashmë nuk jeton atje thotë se është më shumë se turp që rasti i Zahirajve të mos diskutohet tash e 16 vite.
Nëse edhe në vitin 2016 nuk ka ndonjë reagim nga Qeveria dhe Parlamenti, atëherë Karaqeva e Zahiraj mbesin probleme shumë serioze për Anamoravën, raporton rajonipress.
Derisa në Karaqevë ka popullatë të mjaftueshme në Zahiraj gjendja është krejt ndryshe. Atje pos xhandarmërisë serbe që gjendet shumë afër kufirit , jeton vetëm një banor që merret me bagëti.
Edhe pse lagja e Zahirajve vazhdon të mbetet një kontest kufitar ende i pazgjidhur, as në këtë pjesë të Kosovës e as në Karaqevë ku Serbia pretendon t`i marrë mbi 400 hektar tokë, asnjë përfaqësues institucional i nivelit qendror nuk i ka vizituar këto dy fshatra kufitare.
Banorët e Karaqevës disa herë kanë kërkuar nga institucionet qendrore që të sensibilizojnë këtë problem dhe ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë një “bela” të madhe, por fatkeqësisht ka munguar gatishmëria e tyre, madje asnjë lider politikë nuk e ka vizituar këtë pjesë kontestuese e cila me pretendimet e Serbisë, Kosovës i merren qindra hektar tokë.
Rexhep Tahiri nga Zahirajt thotë se pas shumë përpjekjeve të tij dhe insistimit të vazhdueshëm që të mbetet për të jetuar në Zahiraj, kjo ishte e pamundur. “Ishte e vështirë ta braktisje fshatin. Gjithmonë me zemër mbetem tek Zahiraj. Në momentin e parë që rregullohet vija kufitare unë kthehem atje” shprehet Tahiri.
Është shumë e çuditshme se rasti i Zahirajve as që ekziston si problem as për ndërkombëtarët e as për vendorët. Derisa në Karaqevë KFOR-i kishte propozuar që ta caktojë një ekip që do të negociojë me forcat serbe, në Zahiraj akoma kjo ofertë mbetet larg realitetit.
“Asnjëherë nuk kam arritur ta kuptojë heshtjen e institucioneve qendrore karshi këtij shqetësimi të madh që kanë shfaqur me qindra herë banorët e rrezikuar dhe të frikësuar nga tytat e automatikëve të ushtrisë e xhandarmërisë serbe. Ne kemi jetuar nën ngjyrat e serbëve të maskuar që hynin natë e ditë në Kosovë dhe maltretonin banorët” thotë Lenjani.
Rexhep Tahiri thotë se Zahirajt padrejtësisht janë futur në kontestin kufitarë me Serbinë, edhe pse gjithmonë Zahirajt kanë qenë pjesë e Kosovës. “Të gjitha tatimet dhe obligimet komunale i kemi paguar dhe i paguajmë në Gjilan” shprehet ai.
Tahiri është i brengosur me heshtjen e deputetëve gjilanas të cilët sipas tij asnjëherë nuk e kanë problematizuar rastin e Zahirajve në Parlament. “Zahirajt janë një vend i pasur me xehe dhe minerale dhe Serbia nuk dëshiron ta lëshojë për asnjë çmim, përderisa institucionet kosovare po shtyhen se kush po bëhet kampion i hajnisë. Kjo vërtet është për tu shqetësuar sepse pa Zahirajn vija administrative e Kosovës pëson ndryshime radikale”shprehet ai.
Lagja e Zahirajve para luftës ka pasur 10 shtëpi, kurse tani jeton vetëm një familje. Problemin kryesor ata e kanë se rreth 150 hektar tokë u ka mbetur përgjithmonë në pjesën e Serbisë, kurse shtëpitë e tyre ende figurojnë në hartat e KFOR-it dhe hartat serbe si pjesë të Preshevës. /rajonipress/


