Riformatimi i qeverisë shtyhet për vitin e ardhshëm
Ka muaj të tërë prej kur ka filluar të diskutohet mundësia e rifomatimit të Qeverisë së Kosovës.
Riformatimi i Qeverisë dhe shkrirja e disa prej ministrive në dikastere të ndryshme të institucioneve të vendit ishte një ndër zhvillimet e mundshme të paralajmëruar për të ndodhur gjatë këtij viti që po lëmë pas.
Madje ishte pikërisht edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa që kishte paralajmëruar një gjë të tillë.
Gjatë muajit gusht, Mustafa pati deklaruara se do t’i qasen me seriozitet rifomatimit të Qeverisë.
“Do t’i qasemi seriozisht dhe do ta bëjmë një riformatim të Qeverisë, i cili nuk do të nënkuptojë vetëm riformatim teknik të Qeverisë, por nënkupton edhe një riformatim substancial dhe të kostos”, kishte thënë Mustafa, shkruan Indeksonline.
I të njëjtit qëndrim ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili pati deklaruar se ky riformatim do të bëhet pas 1 shtatorit.
“Qëndrimi është se nuk do të ketë vetëm riformatim në ndryshim të emrave apo zvogëlim të ministrive. Po do të ketë edhe riformatim të programit ku do të ketë një fokus të veçantë në ekonomi, në zhvillim, në mbështetje të gjithë punëtorëve të këtij vendi. Do të bëjmë reformë rrënjësore në heqjen e burokracisë”, pati theksuar Veseli.
Ndërsa në një prononcim për Indeksonline, Këshilltari i Kryeministrit Isa Mustafa, Faton Abdullahu ka bërë të ditur se viti 2016 përfundon pa riformatim të Qeverisë së Kosvoës.
“Nuk ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim. I mbetet palëve në koalicion që ta shtyjnë tutje këtë çështje kur ata e vlerësojnë së është kohë e përshtatshme për të bërë ndryshime në këtë aspekt, për t’i arritur ato objektiva për të cilat parimisht janë pajtuar”, ka thënë Abdullahu.
Ndërsa duhet përkujtuar se në këtë riformatim të qeverisë hynin ministrit si: Ministria e Integrimeve, Ministria e Ambientit të cilët janë pa ministra për një kohë të gjatë.

