Nyjet e krizës politike
Nga Nexhat Buzuku – Rrugët statike apo udhëkryqi i “organizuar”! (“Njerëzit janë kaq të thjeshtë, dhe jepen kaq shpejt pas dëshirave të momentit, saqë ai që mashtron, do të gjejë gjithmonë nga ata që janë gati të mashtrohen”. -Nikolo Makiaveli).
Kundërthëniet e akterëve të politikës, demonizimi i tjetrit dhe gjuha përjashtuese në
komunikimin e tyre, pothuaj të përditshëm, kanë irrituar qytetarët dhe i kanë kthyer ata në peng të krizës politike në vend. Palët në konfliktin politik (opozitë-pozitë) janë barrikaduar në istikamet e tyre politike, dhe taborret paralajmërojnë, secila me konceptin e vet, jo shumë të qartësuar, vendimet që do të pasohen pas veprimeve të tyre, po ashtu të paralajmëruara për këtë muaj. Situata e rëndë socio-politike dhe ekonomike bën që antagonizmat në mes të taborrëve politik të jenë vështirë të kapërcyeshme, duke qenë të barrikaduar në qëndrimet e tyre. Pozita thotë se po çon proceset përpara, avancimin e mëtejmë të demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa, opozita është e vendosur në revidimin e sistemit socio-politik dhe ekonomik në vend, pasi atë që ndodh prej vitesh në Kosovë e quan degradim shoqëror dhe nacional, improvizim institucional dhe mungesë vlerash.
A është e pamundur një marrëveshje e mundur për tejkalimin e situatës kundërthënëse në spektrin politik? Nëse do të zgjedhet presidenti i vendit ose vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, janë frazat që përmbledhin një pikëpyetje në rrethin politik, në media, në shoqërinë civile dhe te qytetarët. Në këto dy rrugë të panjohura për momentin ka dy paralajmërime, që, po ashtu, vazhdojnë të humben në fraza të paqarta: E para, zgjedhja e presidentit, sepse kjo mund të jetë në mënyrë hipotetike hendeku politik i zgjidhjes së krizës politike, posaçërisht këtu qëndron pengu i pozitës. Mbase, pas zgjedhjes së presidentit nuk përjashtohet mundësia e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme. Kjo është një mundësi e papërjashtuar, që mund ta ketë projektuar njëri partner i koalicionit, por problematike E dyta, opozita e bashkuar ka paralajmëruar protestën e radhës, ditën e pavarësisë së vendit, me qëllimin tashmë të prezantuar për rrëzimin e qeverisë ose dorëheqjen e saj, pra në të dyja rastet me presion publik…
Mirëpo, ajo që nuk është shumë e njohur për kohëzgjatjen e protestës mbetet për t’u parë të mërkurën. Sepse, ka një skenar të njohur që protesta do të vazhdojë deri në dorëheqjen e qeverisë, por pjesa enigmatike e skenarit të protestës mbetet nëse protestuesit dhe liderët e opozitës do të qëndrojnë në shesh deri në orën e dorëheqjes së qeverisë, siç e kanë quajtur. Cila do të jetë kjo orë?! Opozita e ka quajtur ora e ndryshimit për vendin! A janë shterrur të gjitha mundësitë për marrëveshje politike para orës së paralajmëruar të ndryshimit? A ka kohë për qasje më të butë dhe gjetjen e metodave më të suksesshme për zgjidhjen e konfliktit politik, kthimin e besimit te qytetarëve në klasën politike, pozitë dhe opozitë, duke nisur me reforma rrënjësore në institucionet nacionale, pastrimin e tyre nga kasta e çoroditur grabitëse e pasurisë shoqërore, luftimin e njëmendët të korrupsionit dhe të mafias politike në të gjitha nivelet. Pakënaqësia për gjendjen e rënduar në vend, sidomos gjendja e vështirë socio-ekonomike dhe degradimi i vlerave etike shoqërore është evidente. Nëse vendi, megjithatë, do shkojë në zgjedhje të parakohshme, kush do të fitonte 51 për qind e kush 49 për qind?
Secili taborr politik do të gjendej në njërin prej këtyre përqindjeve! Demonizimi i tjetrit dhe gjuha përjashtuese është bërë normë joetike e komunikimit të përditshëm politik. Nuk ka dyshime se duhet lëvizur nga kjo gjendje statike, të cilën, në fakt, e kanë krijuar kastat politike në të gjitha subjektet politike.
Pra, sistemi socio-politik dhe ekonomik nuk ka dhënë pritjet e duhura, e rrjedhimisht raportet demokratike kanë qenë konceptualisht në përmbajtje dhe funksionalitet si formë abstrakte dhe më pak si strukturë konkrete. Jemi para vendimeve të mëdha dhe reflektimi me gjakftohtësi dhe maturi para kësaj situate mund të jetë domethënëse për tejkalimin e udhëkryqit të organizuar, ose barrikadimit – secili në të vetën! Në këtë turbullirë politike, qytetari është kthyer në peng! Ditët në vazhdim do të japin një epilog, që tani ka dy të panjohura! Presidenti – zgjedhjet e parakohshme!/rajonipress/


