Avdil Ramadani fton për unitet, nënshkruan peticionin e Lëvizjes “Vatra”
Gjilan – Të shtunën kryetari i Partisë Republikane në Bujanoc, Avdil Ramadani ka nënshkruar peticionin e nisur nga Lëvizja Qytetare “Vatra”, ku me këtë peticion kërkohet që faktori politik shqiptar në Kosovën Lindore të unifikohet dhe të krijojë një liste unike politike të përbëre nga të gjitha partitë politike shqiptare.
Ky peticion do t`i dërgohet të gjitha partive politike shqiptare me qëllimin e vetëm, unifikimin e tyre dhe bashkimin e tyre në një listë të përbashkët zgjedhore.
Kushtrim Kadriu nga Lëvizja “Vatra” deklaroi se, Avdil Ramadani është kryetar i parë i një partie politike nga Kosova Lindore, që i bashkohet kësaj iniciative dhe është hap i madh për politikën Luginase, kur një lider politik fton për unitet.
Kjo iniciativë është përkrahur dhe do të përkrahet nga shumë personalitete të shquara nga të gjitha trevat shqiptare.
Këtë peticion, vlenë të theksohet se e kanë nënshkruar edhe moderatori Fidan Jupolli, Deputetja e AAK-se Donika Kada Bujupi dhe regjisori Kenan Gurgurofci.
Avdil Ramadani, deklaroi se Partia Republikane në Bujanoc, ka shfaqur interesim për unifikimin e subjekteve politike shqiptare, me një listë të përbashkët, në zgjedhjet e parakohshme lokale dhe parlamentare në Serbi.
Grumbullimi i subjekteve politike shqiptare rreth një Liste të përbashkët do të faktorizonte shqiptarët politikisht dhe do të ruante forcën elektorale, të arritur në 2012.
Subjektet politike shqiptare, duhet të mësohen të jenë partner në zgjedhje e jo rival e kundërshtar, të ndarë në shumë lista, të cilat do të zbehnin procesin zgjedhor dhe të përçanin elektoratin shqiptar, duke mobilizuar subjektet serbe, të cilat fitojnë nga përçarja shqiptare.
Republikanët e Bujanocit besojnë në iniciativën e “Lëvizjes Vatra ” si iniciativë e qëlluar në këtë kohë të ngërçit politik dhe kolapsit ekonomik./rajonipress/


