Kosova në prag të 8-vjetorit të pavarësisë së dhunuar dhe të kontestuar
Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – A ka arsye për festim apo për ngushëllim: Republika e Kosovës e ka kaluar moshën e foshnjërisë, duke i mbushur tetë vjet, mirëpo në planin politik ka mbetur foshnje e hendikepuar, sepse ka mungesë kronike të politikanëve që i japin kuptim dhe përmbajtje këtij shteti që e ndan pronësinë midis Mati Ahtisarit dhe Serbisë çetnike. Ky farë Ahtisari, pa pasur nevojë të bëhet AND-ja, nga politikanët pa kurriz apo ata që kanë probleme me kurriz jo për shkaqe shëndetësore, po pranohet si baba i pavarësisë së Kosovës e, në fakt, është dhunuesi kryesor i pavarësisë së vërtetë.
Serbia është bërë faktor përcaktues për të gjitha proceset në Kosovë, nga ato se sa pula mund t’i mbajmë në oborr deri te ajo se a do të duhej të ketë Kosova ushtri. Politikanët tanë servilë thirren në pakon e Ahtisarit dhe më shumë e respektojnë Ahtisarin se Ismajl Qemalin. Është e pështirë kur një alamet burri që aksidentalisht është shndërruar në politikan, duke u përqurrur thotë se nuk bën asgjë pa pëlqimin e “miqve ndërkombëtarë” sepse “ata na kanë çliruar dhe ata mund të na shalojnë”.
Ma gjeni një shtet në botë me një Kushtetutë ku zemra e saj është pakoja e Ahtisarit, truri është 2/3 e serbëve dhe çfarë mbetet është për shumicën. Nuk mund ta gjeni kësi rasti kurrë dhe në asnjë vend të botës. Politikanët e servilosur këtë e bëjnë për një bythë karrige që mund t’ua marrin këta “miq” kur të duan.
Ma gjeni një vend ku spiunët e UDB-së dhe të KOS-it të jenë rehatuar aq mirë në institucione sikur që është bërë në Kosovë. As në Serbi, që është vendlindja e UDB-së, nuk është krijuar aq komoditet për spiunët dhe keqbërësit.
Ma gjeni një vend në botë kur sabotuesit e luftës shpallen të merituar, kurse oficerët e KOS-it shpallen HERO sikur që ndodh te ne!
Ma gjeni një vend në botë ku ata që e kanë penguar luftën dhe kanë qenë kundër luftës t’u njihet status i veteranit të UÇK-së. Apo, që familje të tëra që, duke e keqpërdorur autoritetin e një vlere sublime kombëtare, përfitojnë statusin e veteranit të luftës, duke filluar nga gjyshi, gjyshja, babai, nëna, vëllezërit, motrat, nipat dhe mbesat si dhe dajallarët, tezet dhe farefisi i ngushtë dhe i gjerë. Kjo ndodh vetëm në Kosovë dhe askund tjetër.
Ma gjeni një vend ku i punësuari e demolon vendin e punës, i pengon të tjerët të punojnë dhe për këtë merr rrogë të majme. A ka ndonjë vend në botë ku të punësuarit e sabotojnë punën brenda shtetit ndërsa i japin vetes të drejtë të shëtisin nëpër botë dhe për këtë të marrin mëditje të majme? Ku ka këtu moral nëse edhe mund të flitet fare për moral?! A keni hasur në ndonjë vend në botë, ku 17 vjet pas përfundimit të luftës një qytet ndahet në dy qytete, me dy kryetarë, kurse një politikane mashtruese dhe gënjeshtare deklaron se nëpërmjet ndarjes së Mitrovicës po shtrihet sovraniteti dhe po bashkohet Mitrovica. Edhe Nju Jorku, Parisi, Berlini, Londra, Zagrebi etj. kanë komuna të ndara të cilat janë brenda një territori, por e kanë vetëm një kryetar. A mund ta gjeni një shtet ku, ata që e kanë plaçkitur shtetin deri në palcë, tash dalin në mbrojtje të tij? Dhe që kërkojnë besimin dhe përkrahjen tuaj. Pa u skuqur fare.
A mund ta gjeni një shtet me 60 % të papunë, 68 % si kategori sociale, në top listën botërore për korrupsion dhe krim të organizuar, kurse politikanët kërkojnë të ruhet imazhi i këtij shteti. Madje edhe “miqtë ndërkombëtarë” bëhen mirëmbajtës të këtij imazhi.
Falsiteti është i dyanshëm. Kosovës i është imponuar një shenjëzim i kufijve ku ajo gjithmonë ndahet e humbur sikur që i është imponuar një entitet etnik dhe politik që e bën federalizmin e brendshëm të saj e që quhet Bashkësi e Komunave Serbe. Edhe kjo buron nga “babai” i pavarësisë së Kosovës, Marti Ahtisari, ky Frankeshtajn kushtetues. A ka vend apo shtet në botë sikur që është Kosova që detyrohet të pranojë detyrime ndërkombëtare, kurse pala tjetër e bisedimeve, Serbia, këto detyrime të mos i ketë obliguese, por fakultative, cilat i pëlqejnë i zbaton, të tjerat që nuk i përshtaten nuk i zbaton dhe se përgjegjësia për moszbatim t’i adresohet palës së dhunuar – Kosovës.
Drejtësia selektive prodhon padrejtësi selektive:
A ka vend në botë që i është imponuar një Gjykatë për krime lufte që arreston, gjykon dhe dënon vetëm në baza etnike dhe e cila i diskriminon viktimat sikur që i favorizon të dyshuarit për krime lufte si në Kosovë. Nuk ka. Aq më parë që pastaj mundohet të të bindë dhe duhet të bindesh patjetër se kjo gjykatë na qenka pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës ku selia e Gjykatës është në Holandë, burgjet janë në Holandë dhe shtete të tjera, ku të gjithë prokurorët janë të huaj, gjykatësit janë 100 % të huaj, gardianët e burgjeve janë të huaj sikur edhe administrata është krejtësisht e huaj. Të besosh këtë duhet t’i plotësosh dy kushte: 1.) duhet të jesh 99.99 % idiot (pastërti e lartë e diagnozës) dhe 2.) duhet të jesh politikan pa kurriz apo që luan bisht sipas nevojës. Ka edhe një kusht tjetër që është mbi këto dy kushte; duhet ta duash Kosovën më tepër se veten prandaj e voton Gjykatën Speciale si akt vetëflijimi, për të mirën e atdheut dhe kombit. Duke pasur parasysh se politikanët tanë që e kanë votuar Gjykatën Speciale nuk e kanë diagnozën e pastërtisë 99.99 % të lartpërmendur e as që e luajnë bishtin atëherë votimin e kanë bërë si akt të vetëflijimit për të mirën e atdheut dhe kombit. Hahahahahaha!
Besoni, nëse doni, unë nuk kam arsye të dyshoj! Mendimin me mua sigurisht nuk e ndan edhe një deputet i LDK-së së Dacit, ish i burgosur politik, i cili për Gjykatën Speciale ka votuar edhe me atomin e fundit dhe se ka filluar të bëhet nervoz pse kjo gjykatë ende nuk ka filluar t’i arrestojë komandantët e UÇK-së, ndonëse nuk është vërejtur fare entuziazmi i tij për arrestimin dhe gjykimin e kriminelëve serbë për krime në Kosovë. I gjithë personeli i Gjykatës Speciale nuk shquhet për militantizëm verbal kundër UÇK-së, madje edhe Dik Marti duket të jetë më i moderuar se ky deputet fatkeq dhe i mbushur me urrejtje kundër racës që i takon. E pse mos ta zgjedhim këtë deputet edhe kryeprokuror të Gjykatës Speciale?! Ky deputet e di fort mirë se kjo Gjykatë do të dënojë vetëm shqiptarë, se nuk do të merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar apo se do të merret me vrasjet e pasluftës të anëtarëve të partisë që i ka takuar, është larguar nga ajo, për t’iu rikthyer përsëri dhe se nuk do të dënojë serbë të dyshuar për krime ndaj shqiptarëve. Kjo Gjykatë nuk siguron drejtësi për të gjitha viktimat dhe nuk i trajton të gjitha viktimat si viktima sikur që as të gjithë të dyshuarit për krime nuk i trajton si të tillë. Kjo Gjykatë do ta thellojë çarjen midis shqiptarëve sikur edhe çarjen midis shqiptarëve dhe serbëve andaj, as nga aspekti i të drejtave të njeriut, të drejtës morale, por as të ligjit, nuk do ta arrijë efektin e projektuar.
Simboli i lirisë si viktimë e “pavarësisë”:
Kontribuuesi më i madh për liri dhe (ç)lirim të Kosovës, Simboli i Rezistencës, Mandela i Kosovës, Ballkanit dhe Evropës dhe, për ironi, Hero i Gjallë i Kombit, në 8-vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka mbetur krejtësisht në margjina në luftë primitive të palëve për pushtet në një shtet pa pushtet dhe përmendet vetëm kur dikujt i duhet për nevoja politike. Tmerrësisht po abuzohet me gjendjen e tij për qëllime krejt personale dhe përfituese. Janë shumë të rrallë ish-shokët nga burgu dhe lufta që tregojnë interesim për të. Mos të flasim për institucione që aq shumë bënë për “arkitektin e pavarësisë” duke ia rehatuar krejt familjen sikur në kohën e Kim il Sungut, kurse nuk bënë asgjë për përkujdesjen shëndetësore të Adem Demaçit. Çfarë shteti kemi, ashtu i trajtojmë edhe vlerat kombëtare. Për fat të keq, sot në Kosovë të jesh antivlerë paraqet vlerë. Prandaj Adem Demaçi nuk konsiderohet vlerë sepse nuk është antivlerë.
A po festohet dita e zisë apo dita e pavarësisë:
Gjykuar sipas pankartave në kryeqytet, 17 shkurti nuk do të jetë ditë feste, por ditë kur duhet të çohemi në kryengritje, kundër shtetit dhe pushtetit të shumicës që e paska kapur shtetin. A do të jetë kjo ditë si kryengritja e Matija Gubecit apo një përsëritje e parë edhe më parë, do ta shohim. Mirëpo, kjo opozitë që po thotë se është e bashkuar, është aleati më i mirë i pozitës dhe garantues e jetëgjatësisë së pushtetit të tyre. Me këto veprime opozita nuk ka kapacitet ta përmbysë Qeverinë dhe e ka zgjedhur rrugën njëkahore të veprimit pas së cilës e ka vështirë të gjejë zgjidhje. Përveçse të trokasë në derën e pozitës. Edhe në konfliktet më të egra të armatosura, me datë dhe ditë të caktuara palët ndërluftuese lidhin armëpushim të përkohshëm dhe pa kushte. Sidomos për raste të vdekjeve të mëdha apo festave. Nuk e kuptoj opozitën pse nuk e respekton këtë rregull kur për dy shkaqet që i përmenda më lart ka arsye për armëpushim. Nëse 17 shkurti është festë e Pavarësisë së Kosovës, atëherë edhe opozita duhet të festojë, aq më parë që edhe këta të opozitës e patën nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë. Në rastin e dytë, kur Kosova gjendet në gjendje të vdekjes klinike, do të ishte njerëzore që edhe opozita të bashkëndjejë me këtë gjendje sepse, së bashku me pozitën, edhe ajo është kontribuuese për vdekjen klinike të Kosovës sikur nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për këtë gjendje. A po festojmë apo do të hapim të pame pas 17 shkurtit 2016? Ta shohim!


