Arriti një kontingjent ndihmash për Kamenicën nga Austria
Kamenicë – Një kamion i mbushur me pajisje dhe veshmbathje, donacion i shoqatës nga Gunskirchern i Austrisë ka arritur sot në Kamenicë. Ndër pajisjet e ardhura ishin 14 shtretër për QKMF-në dhe personat me aftësi të kufizuara, 35 karroca për personat me aftësi të kufizuara, inventar shkollor për shkollën në Strezoc, rroba dhe veshmbathje për familjet në gjendje të rëndë sociale, biçikleta, dhe gjëra të tjera të nevojshme.
Ky donacion u realizua në kuadër të bashkëpunimit të nënkryetarit të Komunës Fatmir Matoshi, me Drejtorinë e shëndetësisë, HandiKOS-in dhe grupin e bashkatdhetarëve kamenicas që jetojnë në Austri. “Kjo është një ndihmë dhe mbështetje e veçantë për komunën tonë dhe shumë familje të cilat kanë anëtarë me aftësi të kufizuara, dhe poashtu për familjet që jetojnë në kushte të rënda sociale. Përfitues do të jetë edhe HandiKOS, QKMF-ja dhe shkolla në Strezoc. Për këtë donacion e falënderojmë shumë zotëri Herman Hochreiter, me kolegët e tij, ndërsa merita të veçanta kanë bashkatdhetarët tanë në Austri e do t`i veçoja zotrinjët Rexhep Isufi e Naser Shkodra dhe gjithë përkrahësit e këtij projekti. Falënderojë zyrën e HandiKOS-it, Drejtorin Agim Bucolli për kontributin, si dhe drejtorin e Shkollës së mesme Profesionale Qamil Qehaja, me nxënësit e profesorin Nebi që ndihmuan në shkarkimin e këtyre mallrave” tha nënkryetari Fatmir Matoshi.
Herman Hochreiter nga Rumanienhilfe Gunskirchen, tha se ndjehet i kënaqur që është në Kamenicë. “Ky është transporti i 277 që e bëjmë në shumë shtete të botës, ndërsa jemi të kënaqur që këtë arritëm ta bëjmë edhe në Kamenicë. Fqinjët tanë në Austri janë nga kjo komunë, dhe ne në bashkëpunim me ta dhe me nënkryetarin e komunës tuaj arritëm me sukses të sjellim këtë donacion. Shpresojmë të kemi arritur që sadopak tu ndihmojmë familjeve këtu” tha Herman Hochreiter./rajonipress/


