Bashkë deri në zgjedhje
Partitë opozitare vazhdojnë ta shprehin qëndrimin e tyre se janë të bashkuara më shumë se kurrë, pavarësisht pjesëmarrjes së liderit të AAK-së në takim të përbashkët me pozitën me ftesë të presidentes Atifete Jahjaga.
Këtë e kanë konfirmuar vetë liderët e tri partive opozitare, Visar Ymeri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i “Nismës për Kosovën”, pas një takimi që kanë zhvilluar larg syve të medieve.
Në një komunikatë për media që është dërguar nga zyra për media e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thuhet se tre liderët Haradinaj, Ymeri dhe Limaj, kanë thënë pas takimit se kundërshtimi politik opozitar është i vendosur dhe do të vazhdojë të jetë më i fuqishëm se asnjëherë më parë.
Sipas opozitës, kjo do të vazhdojë deri në shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Protesta e 17 Shkurtit, do të jetë ndër protestat më të mëdha të organizuara deri më tash”, thuhet në komunikatën e AAK-së, të dërguar mediave pas takimit të tre liderëve.
Mirëpo, kreu i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, në një intervistë ditë më parë për “Zërin”, ka thënë se ka qenë gabim politik i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, pjesëmarrja e tij në takimin te presidentja me liderët e partive në pushtet.
Sipas Ymerit, kreu i AAK-së nuk do duhej të merrte pjesë meqë nuk mund të gjendet zgjidhja e krizës duke u takuar me dyer të mbyllura dhe së e dëmton rezistencën e deritashme të opozitës./zeri/


