Rekomandimet i zbatojmë në statutin e Asociacionit
Gjatë hartimit të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe do të inkorporohen të gjitha rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, një ditë pasi Kushtetuesja vlerësoi se Marrëveshja për Asociacionin nuk është në tërësi në pajtim me aktin më të lartë juridik të vendit.
“Në parim e konsideroj dhe e vlerësoj pozitivisht. Kushtetuesja dha rekomandime që në fazat e ardhshme kur punohet statuti që të ketë një gjuhë më të qartë në respektimin e plotë të Kushtetutës. Pastaj këto ditë në proces është integrimi i plotë i ish-pjesëtarëve të strukturave të “Mbrojtjes Civile” në institucionet qendrore të Kosovës dhe kontratat do të nënshkruhen para përfundimit të vitit dhe po përmbyllet përfundimi i kësaj strukture ilegale”, tha Tahiri.
Tahiri paralajmëron se në janar do të diskutohet me palën serbe për “targat provuese” që po u vihen automjeteve të Kosovës në Serbi dhe nëse nuk ka dakordim, atëherë do të fillohet me reciprocitet.
Ndërkaq se kur do të mbahen bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi, Tahiri u shpreh “Menjëherë pas festave të fundvitit në javën e dytë të janarit do të ketë takime në Bruksel së pari në nivel teknik dhe pastaj në atë të kryeministrave. Tema kryesore do të jetë ajo e lëvizjes së lirë, heqjes së tabelave provuese për automjetet e Kosovës, masën e reciprocitetit, etj. Pastaj kemi masa tjera që duhet të trajtohen si p.sh. tabelat ilegale, të cilat ende ka që i mbajnë tabela të veturave. P.sh. Serbia përsëri shkeli marrëveshjet e lëvizjes së lirë duke kërkuar që autorizimi të zëvendësohet përsëri nga strukturat ilegale. Ne kemi njoftuar BE-në dhe pas presionit ndërkombëtar arriti ta bindë Serbinë që të mos shkelë marrëveshjen dhe prej dje do t’i njohë autorizimet për ngasësit e veturave nga Kosova”. /Zëri/


