Qeveri teknike për vizat dhe dekriminalizimin
Rrugëdalja nga kriza politike dhe e megakorrupsionit në Kosovë. Vendit i duhet një ekzekutiv i ri prej teknokratësh profesionalë dhe jopartiakë
“Do të ishte më se e nevojshme formimi i një Qeverie teknike jashtëpartiake, deri në zgjedhje, me një mandat për një vit, që do të ishte shumë e favorshme për t’i pastruar institucionet nga veprimet kriminale, nga nepotizmi dhe familjarizimi dhe për ta reduktuar korrupsionin në vend”, thotë analisti Blerim Burjani
Derisa kriza politike në vend nuk po duket se do të ketë zgjidhje përmes dialogut, ndërsa vendi është bllokuar në rrugën e integrimeve evropiane, analistët politikë konsiderojnë se opsion i vetëm po mbetet formimi i një Qeveri të përkohshme teknike, e cila do të kishte si mision kryesor plotësimin e të gjitha kritereve për liberalizmin e vizave.
Kjo Qeveri do të duhej të merrej edhe me ligjin e dekriminalizimit të institucioneve edhe hartimin e ligjit të ri zgjedhor, për ta çuar vendin në zgjedhje të lira më së voni pas një viti. Opsioni i tillë do të ishte më i qëlluari dhe më efektivi, sipas analistit politik Blerim Burjani “Do të ishte më se e nevojshme formimi i një Qeverie teknike jashtëpartiake, deri në zgjedhje, me një mandat për një vit, që do të ishte shumë e favorshme për t’i pastruar institucionet nga veprimet kriminale, nga nepotizmi dhe familjarizimi, dhe për ta reduktuar korrupsionin në vend. Një formacion i tillë qeveritar do të ishte lëvizje pozitive edhe për plotësimin e kushteve për liberalizim, derisa domosdoshmërish edhe ligji për zgjedhjet duhet të ndryshojë”, është shprehur ai./kosova sot/


