Hidromorava

I hapur për tri shtete

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Mërgim Berisha është njëri prej talentëve më të mëdhenj të diasporës. Futbollisti kosovar po luan me sukses në ligën e dytë austriake me ekipin FC Liefering duke realizuar 11 gola këtë sezon. 18-vjeçari synon të luajë në Ligën e Kampionëve në të ardhmen, ndërsa e pëlqen Bayern Munichun. Sa i përket përfaqësueses, i ka në opsion Kosovën, Gjermaninë dhe Austrinë, cila ta ftojë e para.

Mërgim Berisha është njëri prej talentëve të shumtë që ka Kosova në diasporë. 18-vjeçari po luan me sukses me ekipin e dytë të Red Bull Salzburgut, FC Liefering, me të cilin ka realizuar 11 gola në këtë edicion në ligën e dytë austriake.

Për të po flitet shumë në Austri, por edhe më gjerë pasi besohet se në të ardhmen do të bëhet lojtar i madh.

Sulmuesi i ri synon t’i arrijë majat e suksesit dhe për këtë është duke punuar. Ai po e shijon këtë moment dhe shpreson të vazhdojë me këtë ritëm edhe në pranverë.

“Unë jam i kënaqur deri më tash, por mundem edhe më mirë. Faleminderit Zotit për krejt golat që i kam shënuar deri më tash dhe që nuk kam pasur lëndime serioze. Nuk e di se sa gola do të mund t’i shënoj deri në fund të sezonit, ishalla sa më shumë”, thotë fillimisht Berisha, i cili tregon se është nxënës i shkollës së Red Bull Salzburgut, aty ku ka nisur gjithçka si 10-vjeçar, duke i vazhduar pa ndërprerë ushtrimet. Po ashtu, shton se edhe në pushime në Kosovë ka bërë ushtrime gjithmonë dhe se nuk ndalet asnjëherë.

Synon Championsin, ëndërron Bayernin

FIDANISHTJA

Berisha synon që sezonin e ardhshëm t’i bashkohet Red Bull Salzburgut, ku luan futbollisti tjetër kosovar Valon Berisha, për ta realizuar dëshirën e madhe që ka për të luajtur në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu, e ka edhe një skuadër në zemër, ku do të ëndërronte të luajë në të ardhmen.

“Synojmë që të hyjmë në Ligën e Kampionëve dhe të luaj atje një ditë. Nuk e di se ku do të jem sezonin tjetër, të shohim se si do të shkojnë punët. Më e rëndësishmja është të jem në formë të mirë”, nënvizoi ai.

“Do të doja të luaj në Bayern Munich një ditë, është ekip i madh pasi luan çdo vit në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu, ka shumë lojtarë të mirë prej të cilëve do të mund të mësoja shumë”, thekson Mërgimi.

Luan për përfaqësuesen që e fton

Berisha ka mundësi të luajë për tri shtete, Kosovën, Gjermaninë apo edhe për Austrinë, varësisht se cila e fton. Pa dyshim pasi është nga Kosova, me siguri se do të donte t’i bashkohet ekipit të Albert Bunjakit, i cili megjithatë nuk e ka bërë ende hapin vendimtar për ta afruar supertalentin kosovar. Pasi është rritur në mërgim ai ka pasaportë edhe gjermane, edhe austriake, prandaj ka të drejtë të luajë edhe për këto vende nëse ndonjëra prej tyre shpreh interesim për të. “Nuk kam menduar ende për këtë punë. Mund të luaj për Kosovën, për Gjermaninë ose për Austrinë. Po pres se kush do të më ftoj e para. Ndërkohë, unë jam i fokusuar tek ekipi im. Po punoj shumë që t’i arrij majat e suksesit”, sqaron futbollisti që e mban numrin 26 tek skuadra austriake.

FC Liefering momentalisht gjendet në pozitën e dytë në ligën e dytë austriake me 37 pikë të grumbulluara.