ARKATANA

Më keq, veç lufta!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Lavdim Hamidi – Është dhjetori i vitit 2015, sikur të ishte muaji i njëjtë i vitit të kaluar. Një Deja vu. Asnjë ditë të bardhë nuk kanë parë institucionet qendrore, e as gjithë vendi, veç ditë të zeza, prej se Kadri Veseli është zgjedhur në krye të Kuvendit e Isa Mustafa është akomoduar në “kolltukun” e kryeministrit.

Mustafa dhe Veseli, drejtuesit e dy institucioneve më të larta qendrore të Kosovës, për një vit prej se kanë marrë “timonin” e legjislativit dhe ekzekutivit të vendit nuk kanë ofruar asnjë alternativë për zgjidhjen e krizës politike e as ekonomike, me të cilën po vazhdon të përballet Kosova.

Për ta, si duket më i rëndësishëm është akomodimi personal dhe i militantëve partiakë në institucione sesa angazhimi i sinqertë për të punuar për të mirën e vendit.

Me një situatë të ngërçit politik, i cili fatkeqësisht po zgjat afërsisht dy vjet, para se të fillonte fushata zgjedhore, nuk ka as zhvillim ekonomik e as hapje të vendeve të reja të punës.

Po t’i kishin ecur punët si duhet, të ishin realizuar premtimet e dhëna në zgjedhjet e fundit qendrore nga dy partitë më të mëdha në vend (PDK dhe LDK), viti 2015 do të duhej të përmbyllej me 50 mijë vende të reja të punës, nga 200 mijë sa janë premtuar për katër vjet.

Nuk jam i sigurt nëse në njëvjetorin e qeverisjes së koalicionit të madh janë krijuar 500 vende të reja të punës e të mos flasim për më shumë.
Me këso zhvillimesh politike, sukses i madh do të ishte që deri në vitin 2018 të krijohen 5000 sosh, përderisa 195 mijë vende të tjera të punës do të mundë të realizohen vetëm në Evropë dhe definitivisht jo në Kosovë.

KKVITI

Realisht, në mungesë të perspektivës në vend, 50 mijë kosovarë kanë emigruar ilegalisht në Bashkimin Evropian vetëm në çerekun e parë të këtij viti, përderisa në tre vitet e fundit numri i qytetarëve që kanë marrë botën në sy, arrin në rreth 110 mijë.

Jam i bindur se po t’i jepej mundësia edhe dhjetëra mijëra kosovarë të tjerë do ta braktisnin vendin, duke pranuar që t’i lënë bosh shtëpitë e tyre në Kosovë për të qëndruar në kampe të ndryshme të azilit në Gjermani apo Francë.

Definitivisht për këtë bllokadë politike dhe ekonomike të Kosovës nuk janë fajtorë vetëm Mustafa, Veseli dhe Thaçi. Mëkate në këtë drejtim kanë edhe partitë opozitare, të cilat qoftë për inate personale, apo në pamundësi që t’i paraqesin alternativat e tyre politike e kanë sjellë vendin në këtë “derexhe”. Këta politikanë po funksionojnë me logjikën tipike shqiptare: “Për inat të resë, më vdektë djali”.

Anulimi i marrëveshjeve nuk bëhet duke refuzuar që të takohen me zyrtarët që i kanë nënshkruar ato, qoftë edhe me Mustafën, të cilin jo shumë kohë më parë dëshironin ta bënin kryetar të Parlamentit, por duke u takuar dhe duke mos mbajtur qëndrime të ngurta politike.

Liderët e opozitës, Ymeri, Haradinaj dhe Limaj, besoj se e kanë të qartë se në një situatë të tillë kur institucionet nuk funksionojnë, asnjë investitor i huaj nuk është i gatshëm ta sjellë kapitalin financiar në Kosovë dhe të hapë vende të reja të punës, me ç’rast nuk do të ketë as zhvillim ekonomik. Kështu siç kaloi viti 2015, me bllokadë institucionale, tym dhe gaz lotsjellës, pa perspektivë evropiane, më e keqe është veç lufta qytetare. S’ka ku shkon më keq!