Në Gjenevë shënohet dita e Flamurit
Më 28 nëntor 1443 Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në Kalanë e Krujës. Ndërkaq 469 vjet më vonë 83 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare të prirë nga Ismail Qemali zyrtarizuan në Vlorë, simbolin tonë kombëtar duke shpallur pavarësinë e shtetit shqiptar.
Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, edhe sivjet ka mobilizuar të gjitha Shoqatat, Klubet dhe Shoqëritë artistike që veprojnë në këtë kanton në mënyrë që 103 vjetori i themelimit të Shtetit Shqiptar të shënohet sa më denjësisht.
Objektivat e parashikuara u përmbushën në tërësi falë edhe ndihmës materiale të miqve zviceranë.
Në saje të kësaj ndihme me kohë është bërë rezervimi i sallës së koncerteve“Palladium” në Gjenevë, e cila mbrëmë ishte përplot me mërgimtarë jo vetëm nga Gjeneva , por edhe nga qytetet përreth saj.
Manifestimi i si zakonisht nisi me intonimin e himnit kombëtar. Pastaj drejtuesja e këtij programi festiv Zonja Nerxhivane Ferati – Sejdiu prezantoi përmbajtjen e programit dhe më pas ajo përshëndeti deputetët e Parlamentit të Gjenevës François Lefort dhe Luc Barthassat të cilët me pjesëmarrjen e tyre nderuan këtë festë të veçantë të popullit shqiptar. Nga pala shqiptare të pranishëm ishin Z. Naim Malaj deri para pak kohësh Ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër dhe konsujt e Konsullatës sonë në Gjenevë Z. Ramadan Avdiu, në cilësinë e konsullit të përgjithshëm dhe Z. Arjan Kashtanjeva po ashtu i ngarkuar me punë si konsull në këtë Konsullatë.
Të gjithëve u ra në sy mosprezenca e përfaqësuesve të Shqipërisë ,por arsyet e mungesës së tyre nuk u theksuan. Në një datë kaq të rëndësishme mospjesëmarrja është e pajustifikueshme.
Konferencierja e kësaj nate festive Z. Nerxhivane Ferati – Sejdiu u bëri një vështrim të gjitha periudhave nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria dhe populli i saj .Ajo në mes tjerash tha : Me gjithë tronditjet dhe përplaset që ka pasur Shqipëria nëpër shekuj populli i saj e ka ruajtur gjuhën dhe e ka ushqyer vazhdimisht dashurinë për jetën për lirinë për dritën për vendlindjen ,atdheun, artin, kulturën dhe njerëzimin.
Populli shqiptar e meriton respektin nga të gjithë ngase edhe sipas ekspertëve ndërkombëtar të historiografisë njihet si populli më i lashtë i Gadishullit Ballkanik.
Shqipëria të ardhmen e saj e sheh drejt Evropës së Bashkuar. Populli shqiptar i ndarë në Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi e Çamëri në partneritet me SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian duhet t’i kthehet trungut të tij ,me çfarë do të korrigjohej përfundimisht padrejtësia e Konferencës së Londrës dhe Berlinit ndaj shqiptarëve.
Kjo kërkesë është e përhershme dhe qartë e artikuluar nga vet populli i këtyre hapësirave potencoi Zonja Ferati – Sejdiu, me rastin e fjalës së mbajtur në këtë akademi solemne kushtuar procesit të shtetformimit të Shqipërisë dhe rrugëtimit 572 vjeçar të Flamurit të ngritur në Kalanë e Krujës nga kryeheroi ynë GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU.
Pjesën artistike e hapi pianistja dhe pedagogia e njohur Ermira Zyrakja, e cila ekzekutoi me mjeshtëri të veçantë larushi vlerash të muzikës klasike .
Brezi i viteve të 80 –ta e mban mirë në mend Z. Ermira Zyrakja edhe si aktore. Ajo pati shkëlqyer me lojën e saj të përkryer në filmin “EJA”të regjisorit Piro Milkani.
Nxënësit e Mësimit Plotësues të Shkollës Shqipe nga Gjeneva, edhe pse të lindur larg vendlindjes deklamuan me vullnet e krenari vargje kushtuar Flamurit dhe figurave më të ndritura të kombit tonë. Mjaft mbresëlënëse me ekzekutimet e saj në piano ishte edhe vogëlushja Shila Basha, e cila që tani lëshoi shkëndija se në të ardhmen do jetë një nga emrat e njohur të muzikës klasike.
Plot gjallëri e pasion për vallen në skenë u shfaqen Ansamblet “Gëzuar” dhe“ Rinia Contact” të cilat për cilësinë e vallëzimit të tyre morën duartrokitje të gjata.
Veçmas Ansambli “Gëzuar” me interpretimin e mrekullueshëm të koreodramës kushtuar heroit të kombit Agim Ramadani ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit.
Aplaudimet drejtuar Ansamblit “Gëzuar” ushtuan në të gjitha anët e sallës të shoqëruara edhe me thirrjet në kor Rroftë Shqipëria dhe miqtë e saj.
Moment tjetër tejet interesant në programin e kësaj nate ishte dhe përfshirja tashmë tradicionale e të porsadiplomuarve shqiptar në Fakultetet e Universitetit të Gjenevës.
Me këtë rast ideatori kësaj nisme inxh. Ali Sh Mehmeti Kryetar i “Komunitetit Shqiptar të Gjenevës” ndau mirënjohje për të diplomuarit në nivelin Master dhe për ata me titullin Doktor Shkence.
Mehmeti duke ndarë gëzimin me këta të rinj tha: “Vetëm kështu jemi të barabartë midis të barabartëve.
Kontributi juaj në institucionet e shtetit zviceran përveç integrimit tuaj të mirëfilltë e miqëson edhe më tepër popullin tonë me vendasit.”
Suksesi i këtyre të rinjve sikur ia shtoi energjitë këngëtares sonë të mirënjohur Miranda Hashani. Ajo e ftuar nergut nga organizatori në këtë kremte dha gjithçka nga vetja vetëm e vetëm që auditori i kësaj mbrëmje të mbetet i kënaqur.
Minutat e ndarë për këngëtaren Mimoza Nazrako me origjinë nga Tirana u realizuan për mrekulli. Ajo e njohur me profesionalizmin e saj argëtoi shikuesit me potpuri këngësh të bukura të Shqipërisë së Mesme.
Festës së Flamurit edhe kësaj radhe nuk i munguan bashkëshortët aktiv Shpejtim e Afërditë Krasniqi. Ata në këtë jubile janë paraqitur me këngët kushtuar legjendarëve të historisë sonë më të re Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi e Xhevë LLadrofci, pa shpërfillur edhe kontributin e heronjve të tjerë.
Në këtë mbrëmje janë plotësuar edhe dëshirat e atyre që preferojnë këngën folklorike. Enkas për adhuruesit e këtij zhanri muzikor ka kënduar Grupi” Rapsodët” nga Gjeneva pjesëmarrës të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Gjirokastra 2015” .
Ky koncert me shumë artistë në nderim të simbolit tonë kombëtar dhe të 103 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar dëshmoi më së miri dashurinë e pakufishme të mërgimtarëve tanë ndaj Atdheut – Gjuhës dhe Kombit./arif ejupi/rajonipress/

