Inaugurohet projekti i ujësjellësit në shkollën e Kmetocit
Gjilan – Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me klubin e rotarianëve “Gjilani” dhe “Prishtina International” kanë inauguruar sot projektin ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në shkollën fillore “Skënderbeu” në fshatin Kmetoc.
Sami Spahiu, kryetar i klubit të rotarianëve Gjilanit, e ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin në këtë projekt, ku kanë përfituar shumë nxënës.
“E falënderojmë kryetarin Haziri për bashkëpunimin sepse jemi ndarë shumë të kënaqur me të gjitha punët që i kemi realizuar në terren, siç është ky projekt i kyçjes së ujësjellësit në këtë shkollë, ku kanë përfituar shumë nxënës. E kemi një memorandum të përgjithshëm me Komunën për projekte në disa resorë dhe kështu do të vazhdojmë’, tha Spahiu.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, e ka falënderuar klubin e rotarianëve “Gjilani” dhe “Prishtina International” për bashkëpunim në realizimin e disa projekteve, ku Komuna e Gjilanit ka participuar me vlerën prej 50 për qind.
Ai tha se në proces është edhe projekti i kanalizimit te shkolla “Selami Hallaqi” si dhe te çerdhja në lagjen “Dardania”.
Projekti ka një gjatësi prej mbi 100 metrash, vlera e të cilit arrin shumën e afro 4 mijë eurosh, ndërkaq punimet i ka kryer kompania “Andi Com”./rajonipress/


