Ç’ka po ndodhë me fabrikën e pllakave në Kamenicë?
Gjilan – Në Berivojcë të Kamenicës, ka kohë që është duke u ç’montuar e demoluar fabrika e pllakave, ndërkaq banorët as që e njohin ç’montuesin, dhe as që e dinë se kah po shkojnë apo ku po shiten (në cilin skrap përfundojnë) pjesët e kësaj fabrike që edhe sot do mundë të konsiderohej moderne thotë këshilltari komunal nga radhët e LDK-së Gani Sadiku.
Sipas Gani Sadikut në të shumtën e rasteve në Kosovë privatizimet i bëjnë njerëzit e fortë të politikës dhe të parapolitikës, në emër të kauzave të mëdha kombëtare, për përfitime materiale e individuale.
Në Berivojcë të Kamenicës, ka kohë që është duke u ç’montuar e demoluar fabrika e pllakave, ndërkaq banorët as që e njohin ç’montuesin, dhe as që e dinë se kah po shkojnë apo ku po shiten (në cilin skrap përfundojnë) pjesët e kësaj fabrike që edhe sot do mundë të konsiderohej moderne.
Ai thotë se kjo fabrikë dikur ka punësuar një numër të madh të banorëve të kësaj komune, andaj të nguten kush mundet më përpara, e të marrin ndonjë foto për kujtime nostalgjike, sepse sot shteti i lejon matrapazët, që të shkatërrojnë gjithçka në emër të privatizimit.
”Në këtë shoqëri është krijuar një mentalitet se gjithçka duhet të shkatërrohet dhe të fillohet nga e para, duke harruar se ekonomia nuk fillon as nga e para as nga zeroja. Kjo fabrikë është shembulli më i keq i privatizimit në Kosovë, sepse kjo ka mundë fare leht të përdoret për fillimin e prodhimit dhe do t`i punësonte se paku 500 punëtorë, ndërkaq sipërfaqja përreth saj, do mundë të bëhej zonë industriale e rëndësishme për komunën”.
Sadiku mendon se në këtë shoqëri mbretëron mentaliteti i ç’organizimit në vend të organizimit, i shkatërrimit në vend se të ruajmë vendin, i rrënimit në vend të ndërtimit, andaj duke u bazuar në këtë mentalitet dhe heshtjes përballë anomalive të turpshme, është e pritshme që në gjithë botën ndërtohet, e në botën e shqiptarëve pranohet që të rrënohet gjithçka. “Këto fabrika me këtë lloj infrastrukture janë ndërtuar në kohën e ish Jugosllavisë, kur Kosova kishte zhvillimin më të madh ekonomik. Sipas të dhënave nga instituti për çështje ekonomike i KSAK, kjo komunë pas vitit 1974, kishte një qarkullim vjetor prej 40 milion dollarësh, me mbi 5000 të punësuar po nëpër këto fabrika që sot vidhen e demolohen nga vet grabitësit dhe zhvatësit e shtetit”.
Në komunën e Kamenicës sikur edhe në shumë komuna tjera të Kosovës, prodhohej dhe eksportohej gjithçka, duke filluar prej produkteve bujqësore,( perimeve), prodhimeve industriale, të gjitha llojet e pllakave të qeramikës, Sinter-Magnezit, mandej prodhonte blloka për industrinë e ndërtimit dhe çka jo.? Sot prodhues në këtë komunë është aty këtu ndonjë Farkatarë i cili prodhon sopata, shatnoj dhe “bishta sakice” me të cilët kurrë nuk do të futemi në europë.
Këtu dhe në këtë rast do të ishte fare lehtë që të organizohen protestat para fabrikave në mënyrë që të ndalet degradimi dhe të shpëtohet nëse veç ka mbetur diçka për t’u shpëtuar. “Ku janë ato parti të cilat organizojnë protesta për një “cigare duhan”, fjali apo veprim politik, duke e shndërruar kundërshtarin politik në armik të përjetshëm.Këtu duhet të protestohet, këtu shkatërrohet e ardhmja e brezave, sepse këtu ndërtohet turpi. Kjo komunë po ashtu ishte eksportues i njohur i mishit të qengjit në Greqi, kishte një fond blegtoral 10 fish më të lartë se ky i sotit, kishte po ashtu një fond pyjor me një natyrë të virgjër që do ta kishin zili edhe vendet e zhvilluara”.
Ne jemi dëshmitarë se prej një kohe të gjatë e sidomos prej kohës kur kompetencat nga ndërkombëtarët janë bartur tek vendorët ka filluar degradimi i të gjitha sferave të jetës, me ç`rast shteti i ka imponuar qytetarit, një jetë kaotike dhe të pa organizuar, duke lejuar shkatërrimin e: pyjeve, lumenjëve, fushave e sidomos tokës bujqësore, parqeve nacionale, degradimin e qyteteve nga ndërtimet e egra, dhe shumë e shumë anomali tjera që shteti do duhej të ishte mbrojtës dhe rregullatorë ka vlerësuar Sadiku.
Sadiku mendon se ndër problemet kryesore të privatizimeve të kryera deri më sot nga shteti, mbeten dobësitë e institucioneve mbikëqyrëse e rregullatore, hartimi i kontratave të pabalancuara, shumë herë në disfavor të objekteve të privatizuara.
“Nxitimi në këtë fushë, (fushës së privatizimit me spinof e pa spinof special), nuk bëri gjë tjetër veçse ruajti situatat monopolistike dhe oligopolitike në sektorët e ndryshëm të ekonomisë, ushqeu dhe nxiti korrupsionin, deformoi më tej funksionimin e tregjeve dhe nuk u dha përgjigje sfidave të mëdha aktuale të ekonomisë, që lidhen me perspektivën e shfrytëzimit të pasurive kombëtare”.
Se nuk duhet shkatërruar gjithçka, dhe se do mundë të përdorej infrastruktura ekzistuese e fabrikave (sikur shteti të kontrollonte privatizimin e jo mafia, matrapazët e haraçexhinjët), kemi shembullin e freskët të privatizimit shumë të suksesshëm të fabrikës së bllokave nga “Vllezërit Boroci”, biznesmenë të suksesshëm në Anamoravë. Kjo fabrikë është e privatizuar para 13 vitesh, ndërsa pronarët e saj vëllezërit Kamer e Mustafë Boroci, pas përpjekjeve të shumta, kanë arritur që ta modernizojnë, dhe sot kjo fabrikë (e vetmja në këtë anë), pos që e ka 8 fishue prodhimin, prej 7000 bllokash që prodhonte dikur, tani prodhimi arrinë në 60. 000 copë në ditë, me një kualitet konkurrues në rajon. Ata kanë punësuar 150 punëtorë në vend se t`i punësonin 2 a 3 kamerierë siç ka ndodhur zakonisht me fabrikat tona pas privatizimit ka thënë Sadiku./rajonipress/


