Reagon Qemajl Mustafa : A është bërë vetëm zgjedhje apo edhe zgjidhje?
Gjilan – Ka kohë që dega e PDK në Gjilan është në amulli të plotë për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të kryesisë së saj e cila ishte për kohë të gjatë e përgjysmuar, pa kryetar dhe pa aktivitet. Kjo që ka ndodhë dje me “zgjedhjen” e kryetarit të degës nga kryesia e saj në Gjilan nuk duhet ta befasojë asnjërin nga anëtarët e saj. Kjo është përgatitur gjatë (së paku që nga fillimi i vitit 2012) dhe është provuar të vehet në jetë në zgjedhjet e fundit në parti por atëherë pa sukses ka shkruar Qemajl Mustafa.
Qemajl Mustafa ka shkruar se ku rrinë e keqja, rrinë edhe e mira thotë populli (hajri e zarari vëllezër janë!). Nëse dikush në strukturën dhe në anëtarësinë e PDK këtë e trajton si betejë të fituar për degën, nuk do të thotë që dega ka me e fitue edhe luftën?!. E kundërta: Nëse dikush mendon që kjo është betejë e humbur për degën, nuk do të thotë që dega nuk e fiton luftën?!.
Pra, akti i sotëm duhet të merret me ftohtësi dhe me rezervë derisa nuk sqarohen disa nga dilemat që e përcjellin natyrshëm këtë akt.
Dy nga dilemat themelore të cilat kërkojnë sqarim të shpejtë janë:
1.A është zgjedhja e sotme ligjore (statutare) sepse siç mësova, me statutin e dalur nga konventa e fundit, kryetarin e zgjedh këshilli i degës e jo kryesia dhe
2. “Zgjedhja” e sotme a është zgjidhje, kur kihet parasysh se ka ndodhur reciklim në këtë pozicion nga i njëjti mentalitet politik (bile edhe nga e njëjta familje e ngushtë)?. Pra kemi të bëjmë me monopol mbi degën që thënë më qartë, paraqet uzurpim klasik të saj nga një rreth i ngushtë familjar.
Unë personalisht nuk jam i befasuar. Prishja në PDK nuk është e datës së re. Pra, ka nisur moti, larg para zgjedhjeve të fundit në parti të cilat, kanë qenë kulmim i asaj prishje.
Shpresoj shumë që ky akt të jetë momenti i nisjes së debatit për gjetjen e zgjidhjes së duhur në degë dhe në parti.
Për shkaqet e ardhjes së degës në këtë gjendje do të flas në ditët në vazhdim dhe ajo që do ta them, shpresoj të jetē kontribut debatit publik rreth gjetjes së rrugëdaljes nga kjo gjendje.
Me logjikën me të cilën janë prishur gjërat, nuk duhet pritur ndreqjen e tyre ka shkruar Mustafa.
Unë jam optimist, bile edhe i sigurtë që në degën e PDK dhe në qytetarinë e komunës së Gjilanit ka energji dhe vizion reformues për ta nxjerrur degën dhe partinë nga kthetrat e atyre që atë e duan edhe të dobët, edhe të vogël, bile edhe të dështuar por, me ta në krye./rajonipress/


