Rrustemi, me grushta synon t’i bëjë krenar shqiptarët
Erzen Rrustemi, boksieri me prejardhje nga Zhegra që jeton në Zvicër, synon të fitojë një titull shumë të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.Rrugën e boksierëve të famshëm shqiptarë si Luan Krasniqi, Nuri Seferi, Haxhi Krasniqit e disa të tjerëve po synon ta ndjek edhe boksieri shqiptar i kategorisë së rëndë, Erzen Rrustemi.
Boksieri me prejardhje nga Zhegra, i cili në boksin profesionist ka zhvilluar 10 ndeshje ka shënuar po aq fitore prej të cilave 8 me nokaut, ka vetëm një ëndërr ‘të fitojë një titull shumë të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare’.
“Në ndeshjen e shtatë kam arritur të bëhem kampion i Evropës në WBU. Në të ardhmen shpresoi që do të rrëmbej një titull edhe më të rëndësishëm që kisha me i bë krenarë gjithë shqiptarët kudo që janë”, ka thënë Rrustemi në një intervistë për gazetën Express.
“Besoj se jam në rrugë të mirë për të arritur diçka të rëndësishme në të ardhmen. Kam boskuar me disa boksier që janë shumë të mirë derisa unë i kam mposhtur. Qëllimi im është që sa më shpejt të boksoj për një titull shumë të madh. Nuk mungon as vullneti dhe as puna, unë po vazhdoj të punojë”, ka theksuar ai.
Rrustemi, i cili është pjesë e klubit Ex-Boxing, për ta realizuar këtë ëndërr ka marrë edhe më shumë zemër pas fitore së fundit ndaj boksierit serb, Aleksander Todoroviq.
“Meçin e parë e kam pasur me hungarezin Attila Toth, ndërsa si meçin më të rëndë në karrierën e deritanishme, mendoi se ishte ajo e 26 prillit të vitit 2014 kundër Afmir Imamoviq, ku edhe përkundër pësimit të dy goditjeve të forta në kokë dhe hundë, në fund e përmbylla me fitore”, ka thënë Erzeni.
“Kurse, dueli ndaj serbit Aleksander Todoroviq nuk ishte i lehtë. Ishte pakë më vështirë pasi që ai ishte serb, por në fund arrita të fitoja dhe për mua ishte e veçantë ajo fitore”, ka theksuar Erzeni i cili nuk merret me boks për përftime materiale.
Erzeni ka zbuluar se inspirimin për të vazhduar rrugën e nisur e gjen te dy boksier të famshëm shqiptarë, të cilët me duelet e tyre kanë bërë krenar shumë shqiptarë.
“Veçanërisht inspirimin e kam nga Nuri Seferi. Me Nurinë jemi edhe shokë të ngushtë. Po ashtu Seferi, Agroni dhe Arnoldi më kanë dhënë përkrahje të vazhdueshme. Luan Krasniqi dhe Nuri Seferi janë ata nga të cilët unë inspirohem”, rrëfen ai.
Rrustemi, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë, pritet që shumë shpejt ta gjej kundërshtarin e radhës dhe të dal në ring.
“Ende nuk kam caktuat mecin e radhës. Nuk dua të flas për këtë pasi ende nuk është marr ndonjë vendim. Por, dueli i radhës mund të jetë në janar”, ka përfunduar Rrustemi, i cili falënderon familjen për mbështetje.
Erzeni shumë shpejt pritet të boksojë për tituliin WBC mediteran dhe kjo ndeshje do të zhvillohet në fund të dhjetorit ose në janar të vitit 2016. /Express/


